“Jetoj një ëndërr, pres të ngre trofe me ekipin”, De Ketelare: Ja pse doja me çdo kusht Milanin

Prezantimi zyrtar për mediat do të ndodhë sot në orën 14:00, por Sharl de Ketelare fjalët e para si kuqezi i ka thënë që dje. Në një intervistë për televizionin e klubit, belgu u është vetprezantuar tifozëve të rinj.

DeKetelaere-9

Ketelere apo Ketelare, do ta zgjidhim misterin?

Sharl de Ketelare dhe mbyllim çdo diskutim.

Si ndiheni përpara kësaj aventure të re?

Të jesh futbollist profesionist nuk përshkruhet. Është diçka që e imagjinon gjithë jetës, por më pas nuk rezulton ashtu siç e kishe menduar. Unë e kam ndjekur gjithmonë këtë dëshirë, por as në ëndrrat më të guximshme nuk e kisha menduar që një ditë do të ishte futbollisti i një klubi si Milani. Tani që gjithçka është realitet, nuk mundem të jem përveçse se shumë krenar.

Kur ka ndodhur kontakti i parë me Maldinin e Masaranë?

Nuk më kujtohet data, por mbaje mend mirë vendosmërinë me të cilën më folën duke shprehur besimin e tyre ndaj meje. Kontakti me ta ka nisur nëpërmjet menaxhëreve të mi që në fillim të këtij viti, por kur hapet merkatoja, gjithmonë ka pak rrëmujë. Më vonë pata rastin të flas me drejtuesit e Milanit dhe trajnerin. Doja t’i bashkohesha Milanit me çdo kusht. U desh pak kohë, por tani jam vërtet shumë i lumtur.

Edhe tifozët duken të lumtur për ardhjen tuaj…

Zakonisht jam tip i qetë, por në javët e fundit nuk e kuptoja se çfarë do të ndodhte. Mediat flisnin çdo ditë, por pasionin e vërtetë e ndjeva kur zbarkova në aeroport dhe pashë një turmë tifozësh. Ky klub ka një ngrohtësi të veçantë dhe tifozët kanë pasion të madh, të cilin e transmetojnë plotësisht.

Si është raporti juaj me familjen?

Çdo hap e hedh pasi konsultohem me ta. Nuk m’u desh t’u shpjegoja ndonjë gjë të madhe, sepse janë vazhdimisht të informuar mbi atë që ndodh në jetën time. Janë të lumtur për zgjedhjen time dhe më mbështetin. Kurrë nuk më kanë imponuar diçka dhe më lënë të bëj gjithçka më lumturon.

Mund ta përshkruani pak veten për ata tifozë që nuk ju njohin?

Jam një lojtar shumë ofensiv. Më pëlqen t’i jap fill aksionit dhe të lëviz në bazë të zhvillimit të tij. Kam prirje të zmbraspem për të marrë topin, por di të jap edhe pasimin e fundit për sulmuesit.

Sigurisht që preferoj ta kem topin nëpër këmbë, megjithatë nuk ngurroj të jap kontributin tim në aspektin difensiv. Po jashtë fushe si jeni? Jam një djalë i qetë që i pëlqen të kalojë sa më tepër kohë me familjen. Bëj gjërat që më pëlqejnë, por pa e hequr fokusin nga futbolli që është përparësia ime në jetë.

Origi dhe Salmakers, si shokë kombëtareje, ju kanë dhënë ndonjë këshillë?

Me Divokun nuk kam folur, ndërsa Aleksis më ka shpjeguar mirë se ku po vija. Edhe në kombëtare më ka folur shpesh dhe pozitivisht për Milanin e për pasionin e tifozerisë. Edhe kur ekipi fitoi kampionatin e urova, madje shkëmbyem jo pak batuta në atë rast.

Çfarë dini për historinë e Milanit?

Është aq e pasur dhe aq e madhe, saqë e kam të vështirë ta përmbledh, por e di mirë se çfarë kampionësh kanë kaluar në këtë klub dhe gjurmën që secili prej tyre ka lënë. Ronaldinjo, Maldini, Kaka, por edhe Gulit e Van Basten janë vetëm disa legjenda të këtij klubi gjigant.

Keni ndonjë idhull?

Që fëmijë më ka tërhequr Kristiano Ronaldo, por dhe Milani, siç thashë, ka pasur kampionë të mëdhenj. Kam parë shumë video dhe e di çfarë skuadrash ka pasur, por mendoj se dhe grupi aktual ka shumë cilësi.

Cili do të jetë objektivi?

Kam ardhur me përulësinë më të madhe dhe do t’i përkushtohem Milanit në mënyrë që të fitojë sa më shumë. Objektivat e mi janë ato që do të vendosë klubi.

E keni parë ekipin që u shpall kampion?

Disa ndeshje i kam parë, por jo të gjitha. Derbin nuk e humb kurrë dhe për shkak të miqësisë me Salmakersin e ndjek ecurinë e Milanit për rezultatet dhe renditjen. Jam shumë i lumtur që u bëra pjesë e kampionëve të Italisë.

Çfarë vlerësoni tek Italia?

Më pëlqen gjithçka italiane, duke filluar që nga kuzhina. Edhe koha është shumë e bukur, por nuk është faktor kryesor. Italianët janë pasionantë dhe e vumë re në Europian. Ngrohtësia e tifozëve është unike, por unë jam këtu për të luajtur futboll, çka është gjëja që më pëlqen më shumë në jetë. Uroj të jem nën nivelin e pritshmërive.

Pse zgjodhët numrin 90?

Qëkur isha në akademinë e Bryzhit m’u caktua ky numër dhe nuk e kam ndërruar më kurrë. E kam si hajmali se me 90-ën mbi shpinë jam rritur si futbollist.

Keni ndonjë premtim për tifozët e Milanit?

Që do të jap maksimumin me fanellën e Milanit, në stërvitje apo ndeshje. Uroj t’i dhurojmë kënaqësi duke fituar ndonjë trofe. Sukseset e çdo gjë tjetër nuk varen nga unë, por premtoj dhe i garantoj se do të përkushtohem me mish e shpirt për ta ngritur lart këtë fanellë.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – Arena e Lajmit

 


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×