
Kreu i PD Sali Berisha deklaroi ditën e sotme në lidhje me rrjedhjen e të dhënave nga sulmet kibernetike se ajo janë marrë dhe shitur nga vetë personat përgjegjës për mbrojtjen e tyre, ndërsa u dha dhe porositë para protestës së 12 nëntorit anëtarëve të PD duke u thënë se duhet të zhvillojnë takime në çdo rrugë me qytetarët për të qartësuar figurën e kryeministrit Rama të cilin e cilësoi si armik të shqiptarëve.
“Shqiptarët shpëtimin e presin nga ne, shpëtimi i tyre qëndron në sakrificën tonë, le të thotë çfarë të dojë ai, ai e ka mbushur kupën dhe duhet të qërohet. Qëndron në pushtet mbi votën e dhunuar, nuk ka kryeministër në botë të qendrojë në pushtet pas skandaleve si ai i djegësave, është ndërmarrje e tij personale. Ata Gugalja e Mertiri e Zoto janë thjesht menaxherët e tyre, kush i çon thasë me para atyre, paratë i marrin këta, ku të lënë këta. Duhet të bëjmë gjithçka për një start të fuqishëm të protestave të cilat janë në kohën më të duhur e më të përshtatshme, ky monizëm duhet përmbysur, ne nuk e pranojmë, ky është regjimi më i urryer që kanë njohur shqiptarët pas atij të Enver Hoxhës. Demokratët në këmbë, kudo që janë, e mundimshme me sakrifica, me dhunë me terror ndaj nesh por do fitojmë, do e përmbysim regjimin. Ky është shtet kashte, ky është shtet droge e krimi. Si u shpërbë nga korrupsioni, hakera ka kudo, sulmuan dhe Kosovën po nuk i futën dot një gjemb në këmbë se ka mbrojtje digjitale.
Ky ka shpenzuar 200 mln, i kanë vjedhur nëpër xhepa. Lëre që shumicën këta i nxjerrin vetë dhe i shesin. 2500 policë duan të largohen, është bërë shkollë e preferuar ajo e policisë se largohen të gjithë. Mbi gjysma e ushtarëve kanë dorëzuar dorëheqjen se nuk mbajën dot familjet, nuk mbahet kur ai vjedh me firmë qindra mln për djegësa që nuk ekzistojnë e kur ndërton rrugë 22 mln euro, kur ndërton shkollën me 5 mln euro. Nuk mbahet, ndaj dhe koha i thërret demokratët më shumë se kurrë të ngrihen dhe të fillojnë në datë 12 betejën ndaj regjimit. Këto ditë të nderuar kryetarë të pranishëm në këtë sallë, bashkë me anëtarët e grupeve, duhet të zhvilloni takime në çdo rrugë, të bisedoni me qytetarët, të qartësoni figurën e këtij armiku të vendit. Ky po loz bixhoz me energjinë e shqiptarëve ky, vetëm muajin e fundit ka blerë 40 mln me një çmim 2 herë më të lartë se çmimi në bursën e Hungarisë, e blen kështu se ndajnë para. Ky është i pangopur, ka urrejtje ndaj njerëzve dhe mendon se taksat publike janë të tij. Bleu energji 40 mln, po ta blinte në bursë do ishte 20 mln. Ndaj tallet me pedagogët, u thotë futuni në grevë vdisni, si gangster. Si një njeri cinik që urren shqiptarët”, u shpreh Berisha.