Tirana ka kartonin e Ardit Tolit dhe lojtari nëse kërkon të firmosë me një skuadër tjetër, kjo e fundit duhet të paguajë. Nuk ka alternativë tjetër. Edhe pse dihet zemërgjerësia e presidentit Refik Halili, që gjithmonë është tolerant në këto raste, për çështjen “Toli” nuk ka kthim pas. Vetëm një marrëveshje mes klubit ukrainas, Vorskla Poltava, dhe Tiranës mund të bëjë që lojtari të largohet nga bardheblutë.
Në fakt vlera e kartonit të Tolit është e madhe dhe Tirana nuk do të lejojë që të largohet. Sipas bardhebluve, klubi nuk negocion me lojtarin, por vetëm me klubet që kanë interes dhe këto të fundit duhet të paguajnë 150 mijë euro e sipër. Vetëm kështu çështja e Tolit mund të mbyllet, në të kundërt Tirana nuk jep lejen e kalimit.
LOJTARI – Për lojtarin nuk dihen shumë gjëra. Ndonëse ka rënë dakord me skuadrën e Vorsklës, ai nuk ka firmosur. Ekipi ukrainas kërkon që lojtari të bëjë marrëveshje me Tiranën. Toli i ka ofruar marrëveshje Tiranës, por klubi nuk tërhiqet. Lojtari ka braktisur skuadrën dhe nuk mund të sillej në atë mënyrë. Nga ana tjetër, i kontaktuar, Toli nuk i është përgjigjur “Panorama Sport”.
HISTORIA – Ardit Toli nuk pranon që ka edhe një vit kontratë dhe nuk vjen në grumbullimin e Tiranës. Lojtari ka refuzuar të vijë në stërvitje. Palët do të përballen në gjykatë (gjë që s’ka ndodhur ende). Historia mes klubit dhe lojtarit është e thjeshtë. Toli pretendon se ka firmosur një kontratë dyvjeçare, ndërsa Tirana pretendon se ka një kontratë2+1 me opsionin që bardheblutë brenda një kohe të caktuar mund të aktivizojnë rinovimin. Toli thotë “jo” dhe në këto kushte rruga e vetme është gjyqi.
OLSI AVDIAJ – Arena e Lajmit
