EKSKLUZIVE/ Partizani vazhdon kërkimin për sulmues, negociata me ish-futbollistin e Shkëndijës dhe Shpresave kuqezi

Alternativat e Partizanit në sulm mungojnë dhe të kuqtë po punojnë për ta plotësuar këtë repart, teksa gjatë gjithë verës kanë vuajtur, pasi ende nuk kanë arritur të gjejnë lojtarët e duhur. Aktualisht po kërkohet një sulmues anësor, teksa vëmendja më e madhe është përqendruar në tregun e Maqedonisë së Veriut.

Shefit-Shefiti-Albania-2-1024x1024

Nga ajo që “Panorama Sport” mëson nga burime pranë klubit, Shefit Shefiti është një tjetër emër i pëlqyer nga drejtuesit e kuq për anët e sulmit. Sulmuesi i majtë, aktualisht është lojtar i lirë, pas përfundimit të kontratës me Renovën, ku luajti në dy sezonet e fundit dhe ishte një nga më të mirët në skuadrën nga Xhepçishti. Drejtuesit e Partizanit mësohet se kanë kërkuar informacion për sulmuesin. Aktualisht ka pasur vetëm kontakte fillestare mes palëve, por në ditët në vijim pritet të nisin negociatat për një transferim të mundshëm.

Vetë lojtari është i hapur për një kalim te Partizani, por të kuqtë nuk janë opsioni i vetëm për të dhe do të duhet të mposhtin konkurrencën e disa klubeve të Superiores dhe Maqedonisë së Veriut për Shefitin. Ky i fundit është nga Tetova dhe është produkt i akademisë së Shkëndijës, ku bëri debutimin si profesionist dhe kapërcimin e madh në arenën kryesore të futbollit të Maqedonisë së Veriut. Shefiti ka luajtur plot 5 sezone si profesionist me Shkëndijën, por në asnjë moment nuk mundi të shndërrohet në zgjedhje të parë për kuqezinjtë, ku shënoi gjithsej 8 gola.

Me kalimin te Renova, Shefiti u shndërrua shpejt në një lojtar të rëndësishëm për skuadrën dhe e rriti ndjeshëm produktivitetin e tij. 24-vjeçari në sezonin e fundit ishte autor i 8 golave në Kupë dhe kampionat, teksa po aq shënoi edhe në edicionin 2020-2021. Te Partizani Shefiti gjen një skuadër pa shumë alternativa në sulm dhe do të kishte hapësirat e duhura për të treguar aftësitë e tij. Sipas portalit “Transfermarkt”, vlera e anësorit në merkato është 250 mijë euro, më e larta në karrierën e tij. Shefiti numëron edhe 7 ndeshje me kombëtaren tonë Shpresa, ku ka arritur të shënojë 2 gola. Ai ka luajtur edhe kombëtaret zinxhir të Maqedonisë së Veriut.

DENIS LALA – Arena e Lajmit


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×