Dinamo nuk ndalet në merkato. Radhët e bluve po shtohen dita-ditës në Pogradec, aty ku po zhvillohet faza përgatitore e verës. Së fundi me kryeqytetasit janë bashkuar sulmuesi Silvio Vokrri dhe një brazilian. Janë të dy lojtarë me moshë të re, pasi është bërë e qartë tashmë edhe nga presidenti Adrian Bardhi se kjo është pjesë e rëndësishme e politikave të Dinamos. Përveç afrimeve me peshë, drejtuesit e klubit blu kanë treguar kujdes të veçantë për këtë pjesë dhe kanë afruar disa lojtarë me moshë të re, siç janë Aurel Marku apo portieri Sinan Dani.
VOKRRI Silvio Vokrri, i datëlindjes 2001, është i riu i radhës që i bashkohet Dinamos. Mirditori i formuar te shkolla e Shkëndijës, ka qenë pjesë e Tomorit sezonin e fundit, ndërkohë që ka veshur edhe fanellën e Kastriotit më parë. Ai luan në pozicionin e sulmuesit të dytë dhe do të jetë një alternativë për trajnerin Nevil Dede për repartin e avancuar. Trajneri i bluve do të ketë mundësinë ta shohë edhe gjatë ndeshjeve miqësore, duke nisur nga ajo e radhës me Egnatian.
BRAZILIANI Bashkë me Vokrrin, te blutë ka mbërritur së fundi në Pogradec edhe një brazilian. Detajet e vetme që janë mësuar nga gazeta për të janë se është 20 vjeç dhe se do të jetë në provë. Stafi teknik do të vendosë për këtë futbollist pasi ta vëzhgojë mirë në stërvitje dhe në ndeshjet miqësore. Nëse qëndron, numri i brazilianëve te Dinamo do të shkonte në tre, pasi aktualisht pjesë e saj janë edhe Diogo dhe Denison.
MERKATO E HAPUR Sigurisht, merkatoja e Dinamos nuk përfundon këtu. Trajneri Dede pret të tjerë futbollistë për kompletimin e skuadrës së sezonit të ri, që nuk ka objektiv thjesht rikthimin në Superiore. Presidenti Bardhi pohoi në një intervistë të fundit për gazetën se priten një sulmues dhe një mbrojtës krahu.
Tani mbetet të mësohen emrat e këtyre dy afrimeve të fundit, që do të ‘blindonin’ organikën e kryeqytetasve për Kategorinë e Parë. Deri tani në skuadër kanë ardhur Asion Daja, Taulant Marku, Dikson, Ilir Allmuça, Ersil Ymeri, Patik Fetaj, Redon Danaj, Aurel Marku, Sinan Dani, Silvio Vokrri dhe braziliani që është në provë.
Shumë lojtarë kanë qëndruar nga grupi i sezonit të fundit, duke bërë që numri të rritet ndjeshëm dhe ndoshta Dinamos do t’i lindë nevoja të huazojë ndonjë element të ri me nisjen e kampionatit.
Gërshetimi i të rinjve me lojtarët me eksperiencë parashikohet që të ketë efekt të dyfishtë te dinamovitët, ku përveç rezultateve futbollistike synohet edhe mbushja e arkës së klubit nga shitja e lojtarëve të perspektivës, që pritet të promovohen.
FATJON RUPI – Arena e Lajmit
