Kastrioti ka vijuar përgatitjet intensive me nga dy seanca në ditë në qytetin e Strugës. Grupi i lojtarëve po merr gradualisht ngarkesë, ndërsa deri më tani vetëm një miqësore është zhvilluar. Krutanët do të qëndrojnë deri të premten e ardhshme në Maqedoni, ndërsa gjatë këtyre ditëve pritet që të ketë edhe ndonjë ndeshje tjetër testuese.
Ndërkohë, dje në kohën e pushimit skuadra ka shijuar edhe pjesën turistike që të ofron zona. Siç dihet, përmes qytetit kalon lumi Drini i Zi.
Madje vetë zv.trajneri, Bekim Kuli, ka postuar dje një foto në rrjetet sociale, ku bashkë me Edon Hasanin dhe mbrojtësin serb, Stojanoviç, janë me gjysmën e trupit në lum. Në skuadër mbizotëron një atmosferë e mirë, ndërsa dje ka pasur edhe festë për ditëlindjen e mesfushorit Kevin Aliaj.
Aktualisht klubi po punon shumë për të gjetur një sulmues, i cili do të zëvendësonte më së miri largimin e brazilianit Kaina. Në skenë kanë dalë emrat e Majkëll Ngosë dhe Arturo Rexhinaldos, por me asnjë prej tyre nuk ka marrëveshje. Trajneri Çela është i kënaqur me skuadrën në tërësi dhe mbi të gjitha me angazhimin e lojtarëve.
– Arena e Lajmit
