Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka qenë një nga personat më të lumtur në prezantimin e Robert Levandovskit. Më në fund ai ka në përbërje të skuadrës së tij një figurë të rëndësishme me të cilën mund t’i kundërvihet Realit të Madridit. Duke folur para tifozëve katalanas, ai ka premtuar se me polakun në përbërje, Barça do të shkruajë sërish historinë. Përtej falënderimit për agjentin Pini Zahavi, Laporta ka thënë:
“Natyrisht që jemi të lumtur. Kemi afruar një futbollist të shkëlqyer dhe së bashku do të argëtohemi. Me Levën do të shkruajmë historinë”. Më pas duke folur për mediat e pranishme, numri një i klubit ka folur dhe për shumë tema të tjera, ka përmendur çështjen e federimit të lojtarëve. Laporta është shfaqur i qetë, edhe pse deri më tani Barcelona nuk ka mundur të federojë Robert Levandovskin e të tjerë lojtarë të afruar në merkato.
“Të jeni të qetë për federimet. Kemi arkëtuar 868 milionë euro në dy muaj dhe janë të gjitha mundësitë që gjithçka të shkojë sipas parashikimeve. Të gjithë lojtarët e afruar do të federohen”, tha ai. Laporta më tej ka treguar dhe një anekdotë me mamanë e lojtarit, Ivona Levandovska. “Dua të tregoj një anekdotë që ma tregoi nëna e tij.
Njëzet vjet më parë Levandovski (asokohe 13 vjeç) erdhi me nënën e tij dhe nëna e tij teksa prekte barin e “Camp Nou”-t i tha se një ditë do të luante në këtë stadium. Është qesharake se si parashikimet ndonjëherë bëhen realitet”, tregoi Laporta. Ivona Levandovska, dikur volejbolliste, ka qenë presidente e klubit Partizan Lezno, aty ku nisi karrierën si futbollist Robert Levandovski.
Arena e Lajmit
