Një gol i pësuar pas 19 sekondash për fajin e tij dhe të Kalabrias është diçka që mund të ndodhë. Sidomos nëse bëhet fjalë për miqësore verore e për sa kohë nuk i kushton ekipin. Sidoqoftë, Fikajo Tomori që thuajse ka arritur një akord për kontratën e re, diti të lajë hesapet në ndeshjen me Viçencën duke gjetur golin e parë personal në këtë sezon.
Pas takimit në fjalë, mbrojtësi ka dhënë edhe një intervistë të shkurtër lidhur me përgatitjet e Milanit, objektivat sezonalë dhe sidomos dëshirën e tij për të kontribuar më shpesh me gola në fitoret e skuadrës kampione të Italisë në fuqi.
Cilat janë përshtypjet pas një fitoreje të tillë?
E nisëm ndeshjen në mënyrën më të keqe, megjithatë e morëm veten shpejt duke vendosur garën në binarët e duhur. Tani mezi presim debutimin në kampionat dhe uroj që ta nisim fuqishëm.
Pas Gabias, ju jeni mbrojtësi i dytë që gjen golin me kokë në një goditje këndore, dinamikë ku Milani vjet ishte nga ekipet që shënonte më pak…
Kemi punuar shumë për t’u përmirësuar, sidomos për të përfituar nga goditjet standarde. Jam shumë i lumtur për golin sepse është një ngaaspektet ku synoj të përmirësohem sivjet. Më vjen mirë që shënova, por sidomos sepse arritëm të fitonim një tjetër miqësore.
Patët bërë mirë në disa ndeshje, por goli i pësuar mbetet një aspekt shqetësues sipas Piolit. Ju si mendoni?
Nuk jemi të përsosur dhe e dimë. Dikush gabon zgjedhje, megjithatë janë gjëra mbi të cilat punojmë për t’i përmirësuar. Vërtet e nisëm keq ndeshjen, por siç thashë, i dimë mundësitë tona dhe arritëm ta rregullojmë menjëherë rezultatin.
Ç’ishte ai kërcim festiv me Leaon?
Oh është vetëm një kërcim që e bëjmë shpesh. (qesh) Leao iu kujtua në fushë dhe e bëri. Unë vendosa t’i bashkohem. Shpresoj që sivjet të festojmë sa më shpesh së bashku.
A është ky një sinjal që klima në dhomat e zhveshjes së Milanit është pozitive?
Shumica prej nesh i ka kaluar dy vitet së bashku e për ne skuadra është si familje. Sigurisht, kur fitojmë ka më tepër entuziazëm në dhomat e zhveshjes. Punojmë shumë dhe gëzohemi kur ndonjëri prej nesh bën mirë e aq më tepër kur kjo i vlen ekipit.
Sa shanse ka Milani për të fituar kampionatin?
Sezoni nuk ka nisur ende, por ne do të bëjmë të pamundurën që t’ia dalim. E dimë që nuk ka për të qenë e lehtë, por as vitin e kaluar nuk ishte, madje nuk na konsideronin të denjë as për katër vendet e para. U treguam se e kishin gabim e do të përpiqemi që sivjet të bëjmë të njëjtën gjë.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – Arena e Lajmit
