Kristjan Asllani u ble nga Interi gjatë merkatos së verës me qëllimin për të shtuar alternativat në mesfushë, e sidomos për të qenë zëvendësuesi i Marcelo Brozoviç. Pikërisht kjo ide e fundit e zikaltërve, do të bëjë që mesfushori i përfaqësueses shqiptare ta nisë këtë edicion në elitën e futbollit italian si titullar.
Brozoviç është dëmtuar pak ditë më parë dhe me sa duket, trajneri Simone Inzagi nuk ka ndër mend që ta rrezikojë për duelin kundër Leçes që luhet në fundjavën e ardhshme. ”La Gazzetta dello Sport” bën të qartë se paraqitjet e Asllanit mjaftojnë për të bindur trajnerin që t’i besojë një vend në formacion, aq më tepër që është afruar pikërisht për të zëvendësuar kroatin dhe për të mos e rrezikuar atë duke e aktivizuar edhe kur nuk është në formën maksimale.
Një mundësi e artë për Asllanin që të tregojë edhe në ndeshje zyrtare me Interin se ajo e tija nuk ishte vetëm forma e miqësoreve e pse jo, për të bindur trajnerin Inzagi se nuk është e thënë që të jetë vetëm një zëvendësues i Brozoviç deri në fundin e këtij sezoni.
Arena e Lajmit
