
Lisandër Hoxha, anëtarë i këshillit kombëtar i PD, i ftuar sot në rubrikën “Opinion” në News24, u shpreh se tashmë shqiptarët kanë shumë arsye për të dalë në protestën e 12 nëntorit para kryeministrisë.
Ai tha se protesta e së shtunës duhet të jetë vetëm fillimi, duke deklaruar se më pas ato duhet të vazhdojnë deri në largimin e Edi Ramës nga qeveria.
“Janë pjekur kushtet për të protestuar, janë kaluar limitet në raport me qytetarët shqiptarë sa i përket ekonomisë familjare. Kemi një mal me arsye pse duhet të shkojmë në protestë dhe të nisim një seri protestash.
PD po i shpall luftë në të gjitha frontet qeverisë. Një opozitë që do të bëjë gjithçka që të kushtëzojë qeverinë. Kryefjala e protestës duhet të jetë largimi i Edi Ramës.
Do t’i kërkojmë dorëheqjen në shesh, dhe nëse Rama është aq burrë, duhet t’i dëgjojë qytetarët. Ka ardhur koha e një revolte, duhet të fillojë në 12 dhe nuk duhet të ketë ndalim, duhet të vijojë deri sa të arrihet qëllimi.
Mjaft ka livadhisur i lirë si dem i tërbuar Edi Rama, do ta fusim në gardh, dhe pastaj aty të përballet me revoltën qytetare”, tha ai.