Sinan Idrizi, ultimatum Flamurtarit. Kreu i klubit kërkon ecuri pozitive qysh në start, në të kundërt paralajmëron masa drastike, largim nga formacioni të lojtarëve deri në penalitete të tjera ndëshkuese, përfshi edhe gjobat. Për “Panorama Sport”, Idrizi tha se te Flamurtari ka konkurrencë dhe vendosje pozicionesh dhe se askush nuk e ka vendin të garantuar në formacion.
Duket se për administratorin, respekti ndaj fanellës është mbi të gjitha. “Problemi te ne është te respekti ndaj fanellës. Te Flamurtari ka mbivendosje pozicionesh. Nuk e ka të garantuar vendin asnjë dhe askush. Kështu që, duhet të punojnë fort në realizimin e objektivit dhe në zbatimin e detyrave që ka gjithsecili”, shprehet fillimisht Idrizi.
STAFI TEKNIK – Më i prerë Sinan Idrizi duket me trajnerin Dritan Resuli dhe stafin teknik. Administratori lë të kuptohet se ata do të jenë të parët që do të mbajnë përgjegjësi në rast të çdo situate. “Stafi teknik nuk ka ultimatum, ka argumentim. U kemi thënë që argumenti është ky, situata është kjo. Keni kërkuar gjë nga unë? Ua kam plotësuar? Po! Tani hajde… Unë jam furnitori tani, ata janë kuzhinierët… Unë kam hequr dorë tani nga furnitori me ty, tani jam bërë shijuesi i gjësë. Do uleni në tavolinë. Ata mund të na gatuajnë gjellë të pabërë. Kush e ka fajin? Normalisht që kuzhinieri. Çdo të ndodhë? Do marrë dekoratën. Nëse kuzhinieri bën gjellë të mirë, atëherë do shkojmë për herë të dytë, të tretë e të pestë në restorant. Nëse na zhgënjen, rrugët tona ndahen, por jam i sigurt që do bëhen kuzhinierë të mirë këta, se janë të mirë”, thotë Idrizi.
MERKATO – Administratori Sinan Idrizi thekson se i ka plotësuar çdo kërkesë stafit teknik dhe pret të bëjnë punë. Ai shton se do të ketë të tjera surpriza në merkato. “Kam plotësuar dhe do të plotësoj çdo kërkesë që kanë pasur. Tani nuk është më pjesa ime…Unë do të vazhdoj të afroj lojtarët e duhur. Do të kemi edhe të paktën katër afrime. Janë lojtarë të huaj dhe shqiptarë”, përfundon Idrizi.
– Arena e Lajmit
