Ora 18:30 e pasdites së djeshme i gjeti futbollistët e Egnatias në fushën stërvitore të Lekajt. Ky impiant, tashmë është i përshtatur më së miri nga presidenti i Egnatias, Agim Demrozi, për të plotësuar kërkesat e ekipit me infrastrukturën e nevojshme.
Të rejat më të fundit nga starti i kësaj jave janë rikthimi në stërvitje me grupin i sulmuesit brazilian Xhekson Kenio, i cili ishte dëmtuar që në miqësoren e parë ndaj Strugës në Maqedoni. Tashmë ai do t’i rikthehet regjimit të zakonshëm stërvitor, me shpresën se deri më 20 gusht do të jetë gati. Në infermieri është ende mesfushori fierak, Skerdilajd Levendi, teksa sipas stafit mjekësor, po vijon me seancat e fizioterapisë.
Pjesa tjetër e ekipit është e plotë dhe në këtë periudhë të fundit, deri në startin e kampionatit, sipas drejtuesve të Egnatias, të gjithë po punojnë për të qenë në gatishmëri të plotë deri para 20 gushtit, ditës së startit të kampionatit, ku rrogozhinasit e nisin me Partizanin në transfertë. Ndërkohë, nga miqësoret e zhvilluara në Maqedoni dhe Pogradec, të vetmit që nuk kanë zbritur në fushë të luajnë qoftë edhe një minutë janë mbrojtësi Jurgen Goxhaj dhe mesfushori Donald Mëllugja. Të dy i janë bashkuar me vonesë ekipit, duke qenë afrimet më të fundit. Me kapjen e formës së duhur, edhe ata pritet së shpejti, falë edhe përvojës së konsiderueshme që posedojnë, të japin kontributin e tyre te vlefshëm për skuadrën rrogozhinase.
MIQËSORE NË FIER – Duke qenë se Egnatia ndeshjen e parë e luan në transfertë ndaj Partizanit, stafi teknik ka menduar që edhe një apo dy miqësore deri para këtij takimi, t’i zhvillojë jashtë fushe. Përballë Apolonisë që ka një skuadër me lojtarë të rinj të talentuar, Egnatia mund ta shfrytëzojë miqësoren e kësaj së shtune në Fier, thuajse si një prove gjenerale. Edhe për organizimin e ndeshjeve miqësore, rrogozhinasit duken po aq shumë ambiciozë sa çfarë kanë treguar veten edhe në tërë fazën stërvitore me 4 ndeshje të luajtura në Strugë dhe Ohër, por edhe dy të tjetra në Pogradec, ku një e fituan me Teutën dhe tjetrën e barazuan pa gola ndaj Dinamos.
Miqësoret, stafi i ka konsideruar një pasqyrë të mirë të vështrimit të gjendjes dhe përafruar me kushtet e nivelin sportiv të duhur për startin e kampionatit. Ndërkohë, duke qenë se ekipi ka qenë larg qytetit, tifozët rrogozhinas do të udhëtojnë të shumtë në numër këtë fundjavë në Fier, për të ndjekur takimin përballë Apolonisë, që militon në Kategorinë e Parë.
FATMIR EFICA – Arena e Lajmit
