Interi do të zbresë nesër në fushë për të nisur sezonin e ri dhe Simone Inzagi mund t’i gëzohet këtë herë një skuadre të përbërë nga elementë që janë të aftë të mbulojnë më shumë se një rol, veti kjo që pritet të dhurojë një Inter më elastik dhe larg ngurtësisë së 3- 5-2 të një sezoni më parë.
PRAPAVIJA – Këtë sezon Interi ka dy mundësi edhe në portë ku mund të përfitojë nga cilësitë e ndryshme të Handanoviçit e Onanës.
Pastaj nëse kalojmë në mbrojtje, titullarët Shkriniar-De Vraj-Bastoni janë të padiskutueshëm, por ata që ngrohin janë edhe rezervat që pavarësisht se në numër janë të pamjaftueshëm, nuk janë të tillë në rolet që mbulojnë.
D’Ambrozio gjatë fazës përgatitore ka qenë alternativë për të tre mbrojtësit, ndërkohë që Darmian është tërhequr pas për të luajtur si në të majtë dhe në të djathtë.
Edhe Dimarko ka treguar se mund të zëvendësojë mirë Bastonin, por mund të jetë edhe më i avancuar duke qenë ideali për Gosensin.
Një opsion mund të jetë edhe shkëmbimi i vendeve mes tre titullarëve. Nëse De Vraj mungon në qendër mund të kalojë pa frikë Shkriniar, por edhe Bastoni.
MESFUSHA – Edhe në këtë repart mundësia për të përzier kartat nuk mungon. Dumfris është titullari në të djathtë, por në atë krah alternativa është Belanova, ashtu si Darmian e D’Ambrozio që nuk kanë zhgënjyer në këtë pozicion.
Ndërkohë që vendin e Gosensit në të majtë mund ta marrë padyshim Dimarko, por edhe të djathtët natyralë si Darmian e Belanova, që e kanë provuar jo pak herë në të shkuarën këtë rol.
Transformimi më së shumti do të prekë qendrën e mesfushës, ku treshes titullare Brozoviç-Barela-Çalhanoglu i janë shtuar Asllani e Mikhitarian. Elbasanasi është ideuar si zëvendësi i Brozos në regji, por mund të marrë edhe vendin e turkut e italianit.
Mikhitarian nga ana tjetër kërcënon më së shumti Çalhanoglunë, por me Murinjon ka qenë edhe një “alla” Brozoviç.
Sikur të mos mjaftonin, Inzagi ka në dispozicion edhe Roberto Galjardinin që e ka mbajtur disa herë barrën e mesfushës pa blerjet e reja.
SULMI – Lukaku e Lautaro lënë pak vend për Korrean e Xhekon, por nuk përjashtohet mundësia që në fushë të shohim tre prej sulmuesve me Xhekon ose Korrean pas shpatullave të të dyve, gjithmonë nëse Iznagi do ta shndërronte rreshtimin e tij në një 3-4-1- 2.
Ajo që duket premtuese këtë sezon është ideja që ka dhënë Inzagi në këtë fazë përgatitore se nuk do të jetë më i palëkundur në modulin e tij dhe do të shfrytëzojë më mirë burimet që ka në dispozicion.
E xholat për të parë një Inter më fleksibël në një sezon të ngarkuar si ky që po nis, nuk mungojnë.
Arena e Lajmit
