Hasan Lika është trajneri i parë në Kategorinë Superiore për Partizanin e epokës “Demi”, teksa më pas e kanë pasuar shumë të tjerë, i fundit Xhovani Kolela. Pavarësisht se tashmë prej disa vitesh ndodhet përtej Atlantikut, Lika nuk e heq asnjëherë shikimin nga “dashuria” e tij e madhe, Partizani.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai flet për zhvillimet e fundit te të kuqtë. Lika ka rezerva për emërimin e Kolelës dhe nuk është dakord me largimin e Mehmetit. Ish-trajneri i të kuqve kërkon më shumë besim për trajnerët shqiptarë, teksa nga lojtarët e afruar deri më tani te Partizani, sipas tij Hoti është një nga transferimet më të goditura.
Profesor, si e komentoni emërimin e Kolelës në krye të Partizanit?
Ka qenë ndoshta një zgjedhje e nxituar. Mund të ishte bërë edhe ndonjë zgjedhje tjetër. Gjithsesi, është e vështirë të gjykosh nga jashtë, sepse nuk e dimë se si janë kushtet brenda. Mund të jetë në lojë edhe aspekti financiar. Dikush merr më shumë, dikush më pak.
Mund të ishte edhe shqiptar, nuk ka asgjë të keqe. Shqiptarët e kanë pasur Partizanin dhe e kanë drejtuar mirë. Italianëve sikur nuk u ka ecur me Partizanin. Gjithmonë do të ketë dilema e kundërshtime, kushdo që vendoset në stol. Uroj të shkojë sa më mirë. Nuk është shumë e thënë edhe pjesa e karrierës, sepse kemi parë raste të trajnerëve të suksesshëm, që nuk kanë çarë dot te “demat” siç ishte rasti i Ilir Dajës.
A duhej të largohej Dritan Mehmeti?
Unë mendoj se Dritan Mehmeti duhet të vazhdonte në krye të stolit, sepse shikoja një rritje në lojën e Partizanit gjatë ecurisë nën drejtimin e tij. Skuadra e kaloi atë krizën e fillimit, nisi të shprehej mirë, zhvilloi ndeshje të mira dhe arriti objektivin. Fati i keq i Mehmetit që u eliminua me penallti në Ligën e Konferencës, një mënyrë që mund të eliminohet çdo skuadër.
Si ndikojnë rrotacionet e shpeshta të trajnerëve që bëhen vit pas viti te Partizani?
Koha ka treguar se nuk kanë bërë mirë, por sigurisht që në disa momente ka pasur edhe efektet e veta pozitive. Janë të dyja anët e medaljes në këtë rast. Ne ndërrojmë trajnerin, por kur ndërrohet trajneri duhet përmirësuar edhe skuadra, sepse pa e bërë këtë nuk mund të bësh përpara. Duhet forcuar skuadra me individë që kanë eksperiencë dhe japin kontributin e tyre.
Është i drejtë largimi i Belicës dhe a kishit parë një rënie në lojën e tij në sezonin e fundit?
Të të them të drejtën nuk mund të jap një gjykim ekzakt për këtë çështje, sepse nuk i kam parë ndeshjet e Belicës me aq vëmendje për të komentuar saktë mbi këtë pyetje. Gjithsesi, dihet që ka qenë një futbollist stabël në formacion në katër sezonet e fundit te Partizani. Pastaj në lidhje me largimin e tij, këtë e di klubi më mirë. Mund të kenë gjetur ndonjë tjetër më të mirë dhe natyrshëm që kanë vepruar kështu. Ata e dinë shumë më mirë këtë pjesë.
Partizani ka tre portierë të mirë, mos janë shumë për një vend në formacion?
Një skuadër e mirë dhe pretendente, duhet të ketë edhe rezerva të mira. Problemi qëndron mes klubit dhe portierit, që merren vesh për të vazhduar në këto kushte. Partizani ka tre portierë shumë të mirë dhe kjo është diçka e mirë.
Si ju janë dukur afrimet e Partizanit deri më tani?
Afrimet e deritanishme i kam parë në fushë, por është shpejt për të dhënë një mendim. Prej tyre njoh vetëm Hotin, i cili vitin e shkuar te Tirana nuk ishte titullar stabël, por tregonte aftësi shumë të mira sa herë futej në fushë. Ka edhe një goditje shumë të mirë nga larg, çka është një armë më shumë për sulmin e Partizanit. Partizani bëri mirë që e afroi Hotin.
Çfarë lloj lojtari i mungon Partizanit për të arritur te suksesi?
Krijimi i një skuadre fituese duhet të nisë nga pasja në skuadër e dy-tre elementëve që mund ta udhëheqin ekipin dhe të jenë vendimtarë në momente të vështira. Mendoj se Partizani për momentin nuk i ka këta elementë. Nuk ka elementë të ngjashëm me Partizanin që u shpall kampion. Ai ishte një brez lojtarësh, që u rritën apo u formuan te Partizani dhe më pas erdhi momenti që arritën kulmin dhe i dhanë skuadrës suksesin. E kam fjalën për lojtarë si Hoxha, Trashi, Asani, Mala apo Telushi.
A do të jetë Partizani i ri pretendent për titullin kampion?
Partizani duhet të jetë gjithmonë pretendent për titullin. Nuk di të them për momentin, sepse dua ta shoh kur ta formojë plotësisht skuadrën. Janë larguar disa lojtarë, Mala së fundmi firmosi në Shkodër, kanë ardhur lojtarë të tjerë dhe duhet t’i shohim me kujdes, përpara se të vendosim.
Duke parë përvojat e së shkuarës, jeni pro apo kundër trajnerëve të huaj në Superiore?
Unë nuk jam absolutisht kundër trajnerëve të huaj, por kërkoj diçka tjetër nga ana e drejtuesve të klubeve. Trajnerët shqiptarë, përveç pagës, duhet të vlerësohen më mirë se aktualisht mbi sjelljen ndaj tyre. Duhet t’u besohet më shumë trajnerëve shqiptarë. Trajneri i huaj, nëse është më i aftë le të vijë. Futboll kemi luajtur ne, futboll kanë luajtur edhe ata.
Ndryshimi i vetëm është se ata kanë luajtur në kushte më të mira. Gjithashtu, nuk është se trajnerët e huaj kanë korrur ndonjë sukses të madh dhe kanë qëndruar gjatë në klubet shqiptare. Janë të rralla këto raste. Dua të shtoj diçka, meqë atje nis sezoni. Unë kam trajnuar në shumë skuadra nëpër Shqipëri dhe u uroj një sezon sa më të mbarë të gjithë klubeve dhe lojtarëve atje.
DENIS LALA – Arena e Lajmit
Intervistën e plotë mund ta lexoni në versionin print të gazetës “Panorama Sport”.
