Mungesa e alternativave në tregun shqiptar ka bërë që Kukësi t’i hedhë sytë nga të huajt për të përforcuar skuadrën. Në fakt, deri më tani verilindorët kanë afruar gjashtë lojtarë jashtë kufijve, pa llogaritur mbrojtësin Antonio Ilieski dhe mesfushorin Jakup Berisha, të cilët janë nga Maqedonia e Veriut dhe në futbollin shqiptar nuk konsiderohen “të huaj”.
Portugezi Ferreira, brazilianët Ebert dhe Moraesh, kroatët Basha dhe Zivkoviç, si edhe boshnjaku Isiç, nuk mund të luajnë të gjithë njëkohësisht në ekip, pasi deri në pesë futbollistë të huaj lejohen në fushë. Kësaj liste mund t’i shtohet edhe anglezi Lejton, për të cilin ende nuk është vendosur përfundimisht nëse do të qëndrojë apo jo. Por, fakti që janë bërë shumë të huaj në skuadër, mund të detyrojë klubin të mos e shohë si prioritet afrimin e tij dhe të shohë nga tregu shqiptar, kosovar apo maqedonas.
PROBLEMI
Numri i të huajve është kthyer në një problem më vete për verilindorët, pasi duhet të bëjnë mirë llogaritë me ta në fushë, ndërkohë që kampionati është në prag. Edhe vetë tekniku Gega është treguar i kujdesshëm në miqësoret e luajtura gjatë qëndrimit në Turqi, duke i konsideruar si takime zyrtare dhe mos hedhur më shumë se katër të huaj në fushë. Një hall jo i vogël, nëse të gjithë lojtarët e afruar shihen si të domosdoshëm për ta nisur titullar, pasi në të kundërt, dikush do të “digjet” dhe nëse aktivizohet duhet t’i zërë vendin një tjetër të huaji.
MERKATO
Nga ana tjetër, burimet në klub pohojnë se kuksianët presin ende afrime nga merkatoja dhe si për ironi, sytë janë hedhur sërish nga tregu i huaj. Kërkohet me ngulm një sulmues, pasi Zivkoviç nuk po bind dhe nëse arrihet në një marrëveshje për zgjidhjen me konsensus të kontratës, atëherë edhe sulmuesi i radhës do të jetë i huaj, ndonëse po shihen pistat nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Për momentin kroati vijon të jetë pjesë e Kukësit, por duket më shumë larg sesa afër, pasi aktualisht nuk shihet si “pyka” që mund të mbështetet ekipi.
Arena e Lajmit
