Kastrioti ka nisur dje përgatitjet për javën e parë të kampionatit, të cilën krutanët do ta luajnë në transfertë përballë Bylisit. Atmosfera në skuadër është pozitive dhe lojtarët janë stërvitur me përkushtim maksimal gjatë gjithë kësaj periudhe. Ajo që bën optimist stafin teknik ka të bëjë me kontingjentin, që është thuajse i plotë.
Fatmirësisht përgatitjet kanë shkuar më së miri dhe asnjë nga lojtarët që ka luajtur në miqësore dhe është stërvitur me ekipin, nuk ka pësuar ndonjë dëmtim serioz. Nga ana tjetër merkatoja vijon të jetë e hapur dhe krutanët presin ende përforcime, ndërsa vazhdon të qarkullojë afrimi i një sulmuesi brazilian, i cili përflitet për një akord me krutanët, por emri vijon të mbetet ende enigmë dhe në ditët në vijim do të ketë diçka më konkrete. Gjithsesi, nuk përjashtohet edhe mundësia për të transferuar ndonjë lojtar tjetër nga ekipet e Superiores në formë huazimi, gjithmonë nëse do të gjendet ai element, që do t’u bëjë punë krutanëve në ato pozicione, ku ata kanë nevojë.
DY AFRIKANËT
Pavarësisht se nuk ka asnjë dëmtim në skuadër, Kastrioti shkon në ndeshjen ndaj Bylisit me dy mungesa. Onanuga dhe Okebugu nuk i janë bashkuar ende ekipit që nga fundi i sezonit të kaluar. Dy nigerianët nuk kanë marrë pjesë në fazën përgatitore, çka është padyshim një minus i madh. Shkaku i mungesës së tyre lidhet me problemet me dokumentacionin. Gjithsesi, burime pranë klubit bëjnë me dije për gazetën se dy lojtarët pritet të vijnë në vendin tonë javën e ardhshme.
Arena e Lajmit
