Bernardo Silva pritet të qëndrojë përfundimisht te Mançester Siti, pas dështimit të vazhdueshëm të tratativës për transferimin e tij në Barcelonë. Katalanasit për momentin thjesht i ëndërrojnë 85 milionë paund (afro 100 milionë euro), që kërkon klubi anglez për kartonin e tij.

Edhe pse Silva këtë verë e nisi duke i shprehur klubit dëshirën për t’u larguar dhe të pranonte çdo ofertë të arsyeshme për ta, tashmë duket se fantazisti portugez duhet të mendojë dhe të fokusohet totalisht vetëm te Siti, askund tjetër.
Të paktën kjo është ajo që nënvizojnë disa media të ndryshme prestigjioze. “The Athletic” raporton se Silva duhet ta “ëndërrojë” edhe një tjetër verë kalimin në Katalunjë.
“Sportsmail” nga ana tjetër zbulon se Silva ka të ngjarë të qëndrojë në Mançester, pavarësisht se “Qytetarët” nuk do ta lënë kurrë të lirë që të ikë, pa gjetur një zëvendësues të tij, edhe sikur Barça papritur të gjejë paratë që nevojiten për ta blerë dhe për ta federuar për sezonin e ardhshëm: “Unë kam qenë i hapur me drejtuesit e klubit tim. Ata e dinë se çfarë dua. Ky është një klub i madh dhe si i tillë, te Siti nuk duan që të mbajnë askënd që nuk është i lumtur. Gjithmonë, çdokujt i është hapur dera dhe mundësia që të largohen, nëse nuk ndihen më të motivuar”.
Mes rreshtave duket sikur dëshira e portugezit është ajo e një transferimi në La Liga, edhe si rrjedhojë e faktit se futbollisti kërkon që të jetë më pranë familjes së tij dhe kalimi te Barcelona ia mundësonte atë. Sigurisht që deri në përfundim të merkatos gjithçka mund të ndodhë, por çelësi i rihapjes së mundësisë së transferimit quhet “Frenki de Jong”.
Vetëm në rast se katalanasit do të arrinin të shisnin mesfushorin holandez diku dhe për një shifër të përafërt me atë që Mançester Siti kërkon për Bernardo Silvën mund të bëhej i mundur kalimi i 28- vjeçarit në ngjyrat kuqeblu.
Pep Guardiola për momentin është i prerë, futbollisti nuk lëviz nga “Etihad Stadium”, duke kujtuar se luzitani në radhët e të kaltërve numëron 253 prezenca, 48 gola dhe 50 asiste, që nga viti 2017, kur Silva la Monakon për “Qytetarët”.
Arena e Lajmit
and then