Mançester Junajtidi po e vuan ende golin në këtë fillimsezoni, kur në 2 ndeshje rezulton se asnjë nga lojtarët e “Djajve” nuk e ka tundur ende rrjetën. Kaq ka mjaftuar për të nisur kritikat ndaj ekipit të drejtuar nga strategu holandez, Erik Ten Hag.
Menaxheri i ri, edhe pse në dukje ka një arsenal të vërtetë sulmues, deri tani asgjë nuk po jep rezultat, duke shtyrë klubin që të hedhë sërish sytë nga “tregu” i futbollistëve. Në listë për momentin janë tre emra për fazën ofensive si Antoni i Ajaksit, Gakpo i PSV-së dhe Pulisiç i Çelsit.
ANTONI – Sulmuesi 22-vjeçar i Ajaksit ka qenë një dëshirë e hershme e Ten Hagut, sapo ai mbërriti në Mançester. Pengesë përveç shumës prej 70 milionë eurosh, si tarifë lirimi nga “harkëtarët”, shfaqet edhe dëshira e lojtarit për të qëndruar tek ekipi aktual.
Në një intervistë për “NOS” përgjigjja e tij ishte konkrete: “Junajtid? Unë jam i lumtur tek Ajaksi”.
PULISIÇ – Kapiteni i Kombëtares Amerikane, Kristian Pulisiç, është shfaqur nga hiçi në horizont. Ardhja e Tomas Tuhelit në Londër e ka zhvendosur rolin e 23- vjeçarit, nga titullar në një rezervë luksi, duke bërë që shumë shpejt magjitë e ofruara në radhët e Dortmundit të harroheshin.
Kohët e fundit Çelsi po kërkon më ngulm blerës, por edhe huazimi është një mundësi e pranueshme, por me kushtin që nëse Pulisiç bind, atëherë fatura për t’u paguar për të është mes 40 milionë eurove.
GAKPO – I fundit në radhë, por jo për nga rëndësia, shfaqet talenti i shkollës holandeze, Koadi Gakpo. 23-vjeçari luan për llogari të PSVEindhoven. Ten Hag e ka lakuar lojtarin në fjalë si një element, i cili do të freskonte sulmin e tij.
PSV nga ana tjetër ka mbajtur një qëndrim neutral mbi të ardhmen e xhevahirit të saj, ndonëse trajneri Rud Van Nisteroi, si trajner i PSV-së, nuk kërkon që ta humbë absolutisht goleadorin e tij, të paktën përpara sfidës së kthimit të “play off”-eve të Champions-it, ndaj Gllazgou Rejnxhërs.
Që të tre emrat në fjalë nuk janë absolutisht objektiva të lehtë për Mançester Junajtidin, duke qenë se që të tre kanë mundësinë që të luajnë në Champions në skuadrat aktuale, por ndoshta me ofertën e duhur dhe xhepat disi më plot, si Antoni, Pulisiç e Gakpo mund të pranojnë të sakrifikojnë egon e tyre, për të pranuar edhe Ligën e Europës me bluzën e Mançester Junajtidit në këtë sezon.
Arena e Lajmit
