Redon Xhixha e ka nisur me gol këtë edicion në Superiore, duke shënuar në ndeshjen e parë të kampionatit përballë Kukësit. Sulmuesi i Tiranës deklaroi për “Oversport” pas sfidës se shpresonte të vazhdonte në këtë mënyrë dhe se kishte synim “Këpucën e Artë” në këtë edicion.

Foto: F. Hazisllari
“Të them të drejtën ndeshja na lë me shije të hidhur se bëmë një ndeshje jashtëzakonisht të mirë. Krijuam shumë raste e dominuam nga fillimi në fund. Ndjej keqardhje se për aq sa dhamë në fushë, meritonim një fitore.
Shpresoj të bëj sa më shumë gola në ndeshjet e ardhshme.
Seferi drejt largimit? Derisa ishim në fushë të dy sot, do të thotë se jemi pjesë e Tiranës. Të shohim në vazhdim, po u largua, i uroj të gjithë të mirat. Jo vetëm Xhixha, por i gjithë ekipi është gati të marrë përsipër përgjegjësi nëse largohet.
Përgjegjësi ka kushdo, gjithsecili të marrë përgjegjësitë e veta edhe në repartin e sulmit, unë të miat, e sulmuesit e tjerë gjithashtu.
Sa i përket ftesës në Kombëtare, çdo lojtar e dëshiron. Shpresoj që të bëj sa më mirë në kampionat dhe të më vijë një ftesë.
Objektivat personalë, për ne sulmuesit është të shënojmë sa më shumë gola. Objektivi është të shënoj sa më shumë e pse jo, të fitoj “Këpucën e Artë”.
A duhen bërë blerje? Nuk di çfarë të them, e vendos stafi dhe e shohin ata nëse ka nevojë. Unë thjesht bëj më të mirën në fushë, për pjesën e afrimeve e vendos stafi”, tha Xhixha.
Arena e Lajmit
