
NË SHËNJESTËR/ Pjesa e parë
Ish-prokurori Arjan Ndoji ra pre e një atentati më 1 nëntor 2019 në mbikalimin e Shkozetit në Durrës. Në këtë ngjarje mbetën të plagosur edhe miku i tij Aleksandër Laho i njohur si ‘Rrumi’ si dhe humbi jetën në spital, shoferi i prokurorit Ndoji, Andi Maloku, viktima më e pafajshme e kësaj historie.
Një dosje voluminoze e publikuar nga emisioni “Në Shënjestër” në News24, hedh dritë jo vetëm për mënyrën se si u krye atentati ndaj prokurorit Ndoji dhe mikut të tij ‘Rrumi’, por edhe se si plani për asgjësimin e tyre nisi disa muaj para se skenari të vihej në jetë.
Sipas dosjes, plani për ekzekutimin e prokurorit Arian Ndoji dhe mikut të tij “Rrumi”, thuhet se nisi fillimisht me shkarkimin e aplikacionit “SKY”.
Organizatorët nisën të përdorin aplikacionin me qëllim që të mos përgjoheshin nga organet ligjzbatuese.
Grupi kriminal i Plaurent Dervishaj, e cilësonte të padepërtueshëm aplikacionin në telefon, por nuk mendonin kështu hetuesit francezë dhe ekspertët e tyre të specializuar në ç’kodimin e aplikacioneve të tilla, sado të sofistikuara që ato mund të jenë.
Siç del edhe nga video që e publikon emisioni “Në Shënjestër”, një ndihmë të vyer në këtë rast ia kanë dhënë edhe vetë përdoruesit e saj, të cilët kanë lënë gjurmët e tyre të krimit në këtë aplikacion, gjatë bisedave që kanë zhvilluar.
Njeriu kyç që ishte i interesuar direkt për eliminimin e Rrumit, rezulton të jetë Plaurent Dervishaj. Ai është një personazh shumë i njohur, dikur pjesë e bandës së Durrësit, por që do të merrte pafajësinë pas një sage të gjatë gjyqësore. Në operacionin ndaj Arjan Ndojit dhe Rrumit, Dervishaj mban pseudonimet ‘Shoku’ apo ‘Plaku’.
Dervishaj, vetëm 6 muaj para atentatit ndaj prokurorit Ndoji dhe Rrumi, kishte rënë edhe vetë pre e një prite të armatosur, bashkë me dy miqtë e tij, Julian Meçaj dhe Bashkim Haxhiaj.
Bëhet fjalë për atentatin e ndodhur më 20 qershor 2019, në fshatin Koxhas të Shijakut për të cilin ai dyshonte se ishte organizuar nga “Rrumi i Shijakut”, një rival i fortë i tij në luftën për territor dhe pushtet në qytetin e Durrësit.
Arena e Lajmit