
Dështon raundi i dytë për zgjedhjen e Kryetares së Gjykatës Kushtetuese.
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në zbatim të parashikimeve ligjore, zhvilloi sot më 17 shkurt 2023 raundin e dytë të votimit për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese.
Në përfundim të procesit të votimit sërish asnjë nga kandidatet nuk mori shumicën ligjore prej të paktën 5 votash. Rezultati i votimit ishte:
1. Fiona Papajorgji – 3 vota;
2. Marjana Semini – 3 vota;
3. Holta Zaçaj – 3 vota.
Kryetari/Kryetarja i/e Gjykatës Kushtetuese zgjidhet me votim të fshehtë, me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtuese, për një periudhë 3-vjeçare me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Në rast se ka më shumë se një kandidat dhe gjatë votimit asnjëri prej tyre nuk merr shumicën e parashikuar të votave, bëhet një votim i ri dhe, pas këtij, vijohet me votimin mes kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave.
Në përfundim të këtij votimi shpallet i zgjedhur kandidati që ka marrë shumicën e votave. Në rast se asnjë nga kandidatët nuk ka marrë shumicën e votave ose votat janë ndarë në mënyrë të barabartë, Kryetari caktohet me short. Procedura e zhvillimit të shortit parashikohet me vendim të Mbledhjes së Gjyqtarëve. Kryetari i zgjedhur njofton Presidentin e Republikës dhe Kryetarin e Kuvendit.
Në raundin e parë më 15 shkurt 2023, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese zhvilloi seancën për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese.
Pas prezantimit të platformave dhe vizioneve të kandidateve, Fiona Papajorgji, Marjana Semini dhe Holta Zaçaj asnjë nga kandidatet nuk mori shumicën ligjore prej të paktën 5 votash.
Në mbledhjen e parë rezultati i votimit ishte:
Gjyqtarja Fiona Papajorgji – 3 vota
Gjyqtarja Marjana Semini – 2 vota
Gjyqtarja Holta Zaçaj – 4 vota.