Mbrojtësi i Kombëtares, Mario Mitaj, duket shumë pranë largimit nga AEK-u i Athinës për t’u transferuar te Lokomotiva e Moskës.
Klubi grek është gati të kryejë një nga shitjet më të shtrenjta të futbollistëve të saj. Sipas informacioneve të nxjerra për “bwinSPORT” nga Jorgos Cakiris, AEK-u do të transferojë Mario Mitajn te Lokomotiva e Moskës.
Një lëvizje e madhe kjo për mbrojtësin 19- vjeçar, i cili ka lindur në Athinë por ka zgjedhur të përfaqësojë ngjyrat kuqezi, teksa ka qenë rregullisht me ekipet zinxhir të Kombëtares, ndërkohë me ekipin A ka mundur të luajë vetëm 3 minuta përballë San Marinos.
PRAPASKENAT E TRANSFERIMIT- Marrëveshja mes dy ekipeve, e cila konsiderohet çështje kohe për t’u bërë zyrtare, parashikon blerjen e mbrojtësit të majtë për 3 milionë euro nga ana e rusëve. Njëkohësisht “verdhezinjtë” do të mund të përfitojnë në rast të një transferimi tjetër të shqiptarit në të ardhmen, duke mbajtur një pjesë të kartonit. Mitaj ishte në planet e skuadrës së parë, por pas zhvillimeve në lidhje me transferimin, klubi do shikojë për një zëvendësues.
Ai në dy vitet me klubin grek regjistroi gjithsej 17 paraqitje me ekipin e parë, duke debutuar në një ndeshje të fortë kundër PAOK-ut. Ndërsa vitin e kaluar ai luajti 20 ndeshje me AEK B, ku arriti të shënonte edhe 6 gola. Ai është produkt i akademisë së klubit grek dhe do të mbushë arkat me një shumë të konsiderueshme, pasi do të jetë shitja e katërt më e madhe në historinë e AEK-ut pas Barkas, Papastadopulos dhe Vranies.
KRISTI SEJATLLARI – Arena e Lajmit
