Futbolli amator është ngritur në revoltë kundër FSHF-së për shkak të një vendim të kësaj të fundit për të ndryshuar strukturat e kampionateve të moshave vetëm pak javë para fillimit të tyre. Përfaqësues të akademive e së fundmi edhe Shoqata e Futbollit Rajonal të Tiranës, kanë denoncuar këtë si një lëvizje të paprecedent të institucionit të futbollit.
Shoqata e Tiranës ka dale me një komunikatë për shtyp, ku ka denoncuar këtë vendim, teksa u ka bërë thirrje edhe shoqatave të tjera që të ndjekin të njëjtin shembull dhe të përshkallëzonin veprimet e tyre nëse FSHF nuk ndryshonte qëndrim.
DEKLARATË PËR MEDIA E SHOQATËS RAJONALE TË FUTBOLLIT TIRANË
Një numër anëtarësh të Shoqatës Rajonale e Futbollit Tiranë janë informuar se FSHF ka vendosur të vërë në aplikim një strukturë të re të kampionateve kombëtare të moshave. Ndonëse për këtë nuk ka as njoftim zyrtar nga FSHF, na është bërë e qartë që skema e re përjashton nga pjesëmarrja shumë skuadra që e kishin fituar këtë të drejtë për merita sportive dhe i zëvendëson ato me skuadra të akademive të caktuara, kryesisht të njohura si të përkëdhelurat e kupolës së FSHF.
Në kushtet e mungesës së plotë të komunikimit nga FSHF, Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë sqaron anëtarët dhe opinionin se:
- Vendimi për skemën dhe kriteret që do aplikohen kampionatet kombëtare të moshave është përgatitur dhe është marrë pa asnjë njoftim paraprak dhe pa asnjë konsultim me SHRFT dhe komunitetin e futbollit të Tiranës.
- I formalizuar vetëm dy javë para datës së fillimit të kampionateve, ky vendim është në kundërshtim flagrant me praktikat më elementare të organizimit të veprimtarive të futbollit në vendet e qytetëruara dhe në vetë FIFA/UEFA-n ku ndryshimet në struktura lajmërohen së paku dy sezone në kohë.
- Për vetë mënyrën autoritare, jo-transparente, karakterin anti-futboll dhe shumë tregues të tjerë është e qartë se ky vendim ka synim kryesor diskriminimin e subjekteve të futbollit sipas preferencave elektorale të kupolës së FSHF
Për sa më sipër, Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë i bën thirrje drejtuesve të FSHF që:
- Të anulojnë sa më parë vendimin për strukturën e re të kampionateve kombëtare të moshave si një veprim që do dëmtonte rëndë interesat e pjesës më të madhe të subjekteve që investojnë dhe prodhojnë futboll dhe tërë futbollin kombëtar.
- Të hapin debat konstruktiv me akademitë dhe subjektet e futbollit në vend për strukturën e kampionateve, kriteret e përzgjedhjes dhe aspekte të tjera që kanë të bëjnë me zhvillimin e futbollit të fëmijëve
- Te ndërpresin menjëherë praktiken e izolimit dhe diferencimit të SHRFT dhe të anëtarëve të saj për shkak të preferencave elektorale dhe të vendosin lidhjet e domosdoshme të punës dhe bashkëpunimit me të në të mirë të futbollit.
Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë në mbështetje të vullnetit të antarëve të saj bën të ditur se ne rastin kur drejtuesit e FSHF do të sillen ndaj këtyre kërkesave me arrogancën dhe papërgjegjshmërinë e zakonshme atëherë kundërshtimet e saj do të përshkallëzohen në të gjithë spektrin dhe hapësirën qe jep ligji, rregullat e futbollit dhe të drejtat jetike të anëtarëve.
Së fundi, mbështetur në informacionet që na kanë ardhur vërejmë po ashtu se vendimet arbitrare dhe të papërgjegjshme të drejtuesve të FSHF kanë shkaktuar pakënaqësi dhe revoltë dhe në shumë rrethe të tjera të vendit. SHRFT i fton të gjithë që për të mirën e futbollit kombëtar dhe në emër te sakrificave dhe djersës së derdhur për të, t’i bashkohen kundërshtimit dhe përpjekjeve tona. Nuk na ka mbetur më asgjë për të humbur.
Arena e Lajmit
