Xhovani Kolela, trajneri i Partizanit, e pranoi se skuadra e tij ishte me fat që fitoi 2-1 ndaj Egnatias. Pas sfidës, tekniku i të kuqve tha për RTSH se Egnatia nuk e meritonte humbjen dhe se skuadra e tij duhej ende të punonte shumë.
“Egnatia bëri një ndeshje të mirë dhe luajti më mirë se ne dhe e meritoi sipas meje të ishte në avantazh në pjesën e parë. Pastaj në të dytën kemi ndryshuare diçka në aspektin taktik dhe na shkoi më mirë, por ka shumë për të punuar. Sot Egnatia nuk e meritonte të humbte, futbolli është kështu, me raste meriton të fitosh dhe humb, apo e anasjella.
Por është e vërtetë që janë ndeshje të rëndësishme për të fituar, e kemi fituar me zemër dhe me kurajë. Ka shumë për të punuar, marrim tre pikët dhe komplimente Egnatias.
Unë kam bërë 9 stërvitje me këtë ekip dhe janë shumë pak, jemi ende një kantier i hapur dhe kemi shumë gjëra për të bërë. Sot marrim gjërat e mira që është dëshira për të fituar, zemra që vumë në fushë dhe e marrim këtë me vete nga kjo ndeshje.
Sot sinqerisht, shumë lojtarë vuajtën se nuk ishin në maksimum ndaj ishin të aftë të hynin në fushë dhe ata që luajtën në pjesën e parë nuk është se ishin kaq të këqinj. Për fat të keq jam unë shefi dhe duhet të mundohem të përmirësoj diçka”, tha Kolela.
Arena e Lajmit
