Filip Kostiç, edhe pse nuk e ka nisur titullar, ka debutuar në “Allianz Stadium” në ndeshjen përballë Sasuolos, por është dashur të pritet deri ditën e djeshme për konferencën e parë për shtyp të blerjes më të fundit të Juventusit. Serbi ka pohuar se bashkëkombësi i tij, Vlahoviç, ka qenë një shtysë e madhe për mbërritjen në Torino, ndërkohë që ka premtuar se do të shfaqë të njëjtin mentalitet fitues që është në traditën e bardhezinjve.
Çfarë ju lë mbresa nga Juventusi?
Duhet të them që jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. Zbrita në fushë kur ndeshja ishte 3-0 me Sasuolon dhe ky ishte një moment shumë i lumtur për mua, sidomos për faktin që ishim duke fituar.
Ka ndikuar në zgjedhjen tuaj fakti që në Itali ka kaq shumë lojtarë serbë?
Jo, por jam tejet i kënaqur që jam këtu dhe pastaj patjetër që më bëhet qejfi që këtu gjej edhe Dushanin.
Keni folur me Vlahoviçin para se të mbërrinit?
Na tregoni si mund të jetë aksioni ideal me ju dhe Dushanin protagonistë. Po, kam folur me Vlahoviçin kur kemi qenë në kombëtare dhe më ka treguar shumë për Juven, për mënyrën si funksionojnë gjërat këtu dhe pastaj më ka pyetur edhe çfarë mendoja për një klub të tillë. Dushani më ka pohuar se do të ishte shumë i lumtur nëse unë do t’i bashkohesha dhe tani që kjo gjë ndodhi e kuptoj që të gjitha ato që më ka treguar për Juven kanë qenë të vërteta. Aksioni ideal do të ishte një asist imi prej 16 metrash me finalizimin e Vlahoviçit.
Një pozicion në fushë, që preferoni më shumë?
Unë do të luaj aty ku të ketë nevojë dhe ku ta vendosë trajneri.
Çfarë mendimi keni për mentalitetin e Juves që kërkon të fitojë gjithmonë?
Ky është mentaliteti që duhet të ketë një skuadër e tillë dhe të gjithë lojtarët e saj. Duhet të jemi të gjithë në një drejtim dhe t’i marrim ndeshjet me radhë, e di çfarë na pret gjatë këtij sezoni dhe jam gati të jap maksimumin.
Pse keni zgjedhur Juven?
Nuk e kam ndjekur në fakt tratativën, pasi e vetmja gjë që dija unë është që doja të vija këtu dhe për këtë kam bërë çdo gjë.
Jeni zgjedhur për të sjellë atë urinë për fitore.
Unë e ndjek Juven që kur kam qenë i vogël dhe është detyra ime tani të furnizoj sulmuesit me topat e duhur. Për këtë jam këtu.
Jeni gati për Sampdorian? Keni folur me Alegrin?
Kemi folur për gjëra teknike, për sistemin e lojës, pra për gjëra normale. Unë po bëj çdo gjë për t’u përshtatur dhe po punoj shumë, aq shumë sa nuk kam boshatisur akoma të gjitha valixhet.
E dinit që ju dhe Radonjiç do të përfundonit në të njëjtin qytet kur bënit shaka te videoja me parukierin?
Është e vrëtetë që bënim shaka për këtë, por në fund Nemanja më bekoi për të mbërritur këtu, pasi ai e besonte vërtet, kurse unë në atë kohë as e mendoja.
Ka ndonjë domethënie numri 17 për ju?
Jo, nuk ka asnjë arsye specifike. Meqë është numri që kam në kombëtare dhe ishte i lirë vendosa ta zgjidhja.
Përgatiti: NISLI GJINI
