Kastrioti është gati për transfertën ndaj Bylisit.
Pas një stërvitjeje intensive, skuadra e Emiljano Çelës do të nisë kampionatin nga Ballshi, aty ku do të kërkojë të dalë me tri pikë.
Trajneri i krutanëve ka punuar shumë këto ditë me anën taktike, duke provuar edhe formacionin që pritet të startojë kampionatin.
Kastrioti ka ruajtur pjesën dërrmuese të grupit të kaluar dhe kjo është një prej gjërave më pozitive, por gjithsesi është përforcuar në mbrojtje me shqiptarin nga Tuzi, Martin Prenkoçeviç, e gjithashtu serbin Millosh Stojanoviç, i cili ka qenë pjesë e Bylisit deri një sezon më parë.
Nga sa mësohet, i vetmi që mban “peng” formacionin e krutanëve është mesfushori me tipare sulmuese, Edon Hasani, i cili vjen pas problemeve fizike dhe mund të mos aktivizohet. Gjithsesi, gjasat janë që në mesfushë të luajnë Mehmeti i rikthyer, duke iu bashkuar Karakaçit dhe Kodrës.
FABIO HASA – Mbrojtësi i djathtë, Fabio Hasa, ka sqaruar dje për “Panorama Sport” pse nuk qëndroi te Kastrioti. 26-vjeçari u stërvit disa javë me krutanët, por pa mundur të firmosë për shkak të problemeve me dokumentacionin.
“Jam larguar nga Kastrioti vetëm për shkak të kontratës që kam me Burrelin. Duke qenë se nuk arritëm dot një marrëveshje për të marrë lejekalimin, më duhej të largohesha.
Nuk jam larguar se s’binda stafin, por vetëm për shkak dokumentacioni”, theksoi Hasa, i cili tashmë vijon stërvitjen me Burrelin.
– Arena e Lajmit
