Barazimi pa gola në miqësoren kundër Tomorin, ka irrituar së tepërmi administratorin e Flamurtarit. Menjëherë pas ndeshjes, Sinan Idrizi ka “shpërthyer” në kritika.
Ai e ka ndjekur nga afër këtë ndeshje dhe gjatë një bisede që ka pasur me anëtarët e bordit, nuk është kursyer.
“Panorama Sport” zbulon se numri një i klubit u shfaq i pakënaqur nga rezultati dhe loja.
E megjithëse një test, rezultati për drejtuesin e kuqezinjve është i pafalshëm. Kjo ka bërë që Sinan Idrizi të “kërcënojë” stafin teknik dhe skuadrën.
“Ç’është ky ekip që nuk shënon! E dinë këta që ky është Flamurtari?
Nëse e nisin kështu kampionatin, më mirë të ikin vetë! Ua kam plotësuar kërkesat që kanë pasur dhe jam i gatshëm që t’u plotësoj të tjera.
Ekipi është në fazë kolaudimi, por nëse do të kenë këtë nisje në kampionat, secili të marrë përgjegjësinë që i takon. Pritshmëritë janë të mëdha, ndaj nuk do të toleroj”, mësohet të jetë shprehur Idrizi.
Në ditët në vijim administratori pritet të takojë stafin teknik dhe lojtarët për të vënë pikat mbi “i”.
MERKATO – Në ndeshjen me Tomorin, trajneri Dritan Resuli provoi në sulm një lojtar të ri.
Ai është Michael, që ka ardhur nga SHBA e luan si mesfushor dhe sulmues. Kaq janë të dhënat për të, por nuk është se pati ndonjë paraqitje që të linte mbresa. Nëse do të bindë, atëherë do të prezantohet si blerje e re.
Drejtuesit janë fokusuar te përforcimet në sulm, ku ka mangësi dhe nuk ka alternativa.
Për shkak të mungesave dhe dëmtimit të kapitenit Andi Ribaj dhe Gersi Diamantit, trajneri Resuli ka bërë disa eksperimente në ofensivë gjatë këtyre ndeshjeve miqësore me Metanin, Olivierën, Liçajn, Yurin dhe Zan Bi.
Tre sulmues ka premtuar administratori Sinan Idrizi. Kjo javë pritet të jetë vendimtare për përforcimet në kampin kuqezi. Futbollistët që po tentohet t’i bashkohen skuadrës, janë vendës dhe të huaj.
– Arena e Lajmit
