Berat Gjimshiti do të qëndrojë për një kohë të gjatë larg fushave të lojës, për shkak të dëmtimit që pësoi në këmbë gjatë ndeshjes së Atalantës kundër Milanit. Një goditje e Divok Origi bëri që futbollisti të mos vazhdonte më në pjesën e dytë të sfidës ndaj kampionëve në fuqi, teksa më pas u mësua se kishte një frakturë në peronin e këmbës së majtë.
“Fraktura është e peronit, i cili ndonëse është një kockë periferike, për një lojtar mban një rol thelbësor për faktin se aty kalojnë shumë muskuj dhe për qëndrueshmërinë e gjurit dhe kaviljes”, shpjegoi kirurgu ortoped italian, Vinçenco Piçini, në një intervistë për “TMW” ndërsa komentonte dëmtimet e njëpasnjëshme të kësaj jave në futbollin italian.
Ndërkohë, “La Gazzetta Dello Sport” ka zbuluar se lojtari parashikohet të qëndrojë larg fushës së lojës të paktën deri në gjysmën e tetorit. Sipas saj, do të duhet të paktën një muaj e gjysmë deri në kthimin në fushë të futbollistit, duke parashikuar që të jetë pjesë e Atalantës në ndeshjet e Serisë A mes javëve 9 dhe 11 të saj.
Arena e Lajmit
