Rikthimi i Romelu Lukakut në Itali vetëm një vit pas largimit të tij në drejtim të Çelsit ishte një vendim i diskutuar gjatë dhe për realizimin e të cilit u punua edhe më gjatë. U duk e pamundur që londinezët ta linin të shkonte në huazim të thjeshtë sulmuesin, për të cilin vetëm pak muaj më parë kishin paguar 115 milionë euro, por sot fanella zikaltër është përsëri realiteti i 29-vjeçarit.
Në muajin e parë në Milano, belgut i është rikujtuar ndjenja e protagonizmit e përjetuar gjithmonë në Serinë A, pasi pas golave në miqësore ka qenë vendimtar edhe në kampionat. Ishte goli në minutën e dytë ndaj Leçes në javën e parë që e dërgoi në festë, ndërkohë që në ndeshjen ndaj Specias në fundjavë, asisti i tij për Lautaron ndihmoi të zhbllokohej sfida. Në fakt ishte ky asist që konfirmoi edhe një herë diferencën mes aventurës italiane dhe asaj angleze të Lukakut.
Në 63 ndeshjet e fundit në Premier Ligë përfshirë të gjitha skuadrat me të cilat ka luajtur, sulmuesi nuk ka dhënë asnjë asist, ndërkohë që në 18 ndeshjet e fundit të Serisë A me Interin u ka shërbyer 9 herë shokëve të tij të skuadrës, numra që konfirmojnë edhe një herë arsyen madhore pas këmbënguljes së tij për t’u kthyer me zikaltrit.
Arena e Lajmit
