Mbaron një nga telenovelat e merkatos së verës. Emerson Palmieri i ka dhënë sot lamtumirën skuadrës së Çelsit për të firmosur për Uest Hem po në kampionatin anglez. Mbrojtësi i përfaqësueses italiane ishte në kërkim të një klubi të ri meqë nuk kishte më hapësira aktivizimi në radhët e bluve dhe ka gjetur zgjidhjen me kalimin nën urdhrat e Devid Mojes. Një transferim që ndoshta ka vendosur edhe të ardhmen e Elseid Hysajt.
Çelsi do të përfitojë 18 milionë euro nga shtija e futbollistit, i cili ndiqej me ngulm edhe në Serinë A nga shumë skuadra, mes të cilave edhe Lacio. Mauricio Sarri njeh mjaft mirë lojtarin dhe kishte kërkuar që ta kishte pjesë të skuadrës së tij, me klubin që nëse do të bënte një lëvizje të tillë, do të largonte Elseid Hysajn pasi ky i fundit do të dilte i tepërt.
Por tani me transferimin e Emerson te Uest Hem dhe me kohën e pakët që ka në dispozicion Lacio për të siguruar një lojtar që përshtatet shpejt me idenë e Sarrit, Hysaj mund të marrë frymë i qetë. Ai pritet të luajë më rregullisht në të majtë të prapavijës apo të jetë zgjedhje e parë e trajnerit si alternativë për të dy krahët e mbrojtjes, duke e bërë largimin e tij shumë pak të mundur.
Arena e Lajmit
