Një “shekull” gola, Interi për të thyer tabunë 71-vjeçare

“Interi synon 100 golat në këtë sezon të Serisë A”, ishin fjalët e Simone Inzagit në përfundim të ndeshjes me Specian, për të cilat mund të themi se shkuan paralelisht me paraqitjen e Interit ndaj bardhezinjve, ku përveç tre golave ajo që ra në sy ishte pjesëmarrja e gjithë skuadrës në manovrën sulmuese.

inter lukaku-lautaro

Por ndërkohë që synohen kaq shumë gola, padyshim që objektivi kryesor ngelet titulli dhe për këtë historia ka treguar se nuk mjafton vetëm të bombardosh portën kundërshtare. Nuk duhet të kthehemi shumë pas, pasi zikaltrit edhe në sezonin që u mbyll kishin sulmin më të mirë të kampionatit, por kjo nuk mjaftoi që në fund të ishin ata që do të ngrinin trofeun, ashtu si nuk ka mjaftuar për shumë sezone me radhë pasi vetëm në 40 prej 90 edicioneve sulmi më i mirë përket skuadrës kampione.

Gjithsesi, Interi kërkon t’i dërgojë në numër treshifror 84 golat e një viti më parë, një shifër që në historinë e Serisë A është arritur 7 herë dhe në vetëm 4 raste kjo është përkthyer në titull të fituar: Torino në 1947-1948 (125 gola) dhe 1946-1947 (104 gola), Juventusi në 1949-1950 (100 gola) dhe Milani në sezonin 1950-1951 (107 gola).

skuadra shekullore

Thënë këtë ama ka 71 vite që asnjë ekip në Itali nuk mbërrin në kuotën 100 gola dhe kjo mund të kthehet në një sfidë personale për zikaltrit dhe mbi të gjitha për repartin e tyre ofensiv që ka premtuar se do të luftojë kundër të gjithëve.

DYSHE ËNDRRASH – Hera e fundit që Interi shkonte te dopieta “sulmi më i mirëtitull” ishte në sezonin 2006- 2007 kur në pankinë ishte Roberto Mançini. Tani në vendin e tij është Inzagi, një ish-sulmues që e njeh mirë rrugën drejt portës dhe që ka fatin që përpos të tjerëve, të ketë një dyshe si Lukaku e Lautaro që udhëheqin skuadrën.

Duken si pilotët e së njëjtës skuderi, por që asnjëri nuk lufton për titullin individual, por për emrin që i bashkon, atë të Interit. Nuk rrotullohet më çdo gjë rreth Lukakut, pasi pas sezonit pa belgun Lautaro ka arritur të njëjtin status me të duke qenë një prej liderëve në fushë dhe jashtë saj.

sezonet me produktive

Por edhe pse të dy janë titullarë të padiskutueshëm, Xheko e Korrea priten të jenë ndër armët kryesore për të mbërritur 100 gola. 193 centimetrat e boshnjakut dhe teknika e argjentinasit i japin siguri Inzagit, që mund të mbështetet edhe te mesfusha krijuese, te gjaku i ri i Asllanit e Belanovës apo te topat inaktivë që jo pak herë i kemi parë të jenë burimi i golave zikaltër.

Trajneri kërkon paparashikueshmëri dhe cinizëm para portës dhe e di që në skuadër ka muskujt dhe trurin e mjaftueshëm për t’ia dalë të jetë jo vetëm sulmi më i mirë i kampionatit duke mbërritur një shekull gola, por ta shoqërojë këtë me më të rëndësishmin: titullin kampion.

Përgatiti: NISLI GJINI  – Arena e Lajmit


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×