Çavi nuk ka nevojë të jetë pasuesi im apo i dikujt tjetër. Ksavi duhet të jetë Ksavi”. Këto janë fjalët e trajnerit të Mançester Sitit, Pep Guardiola, në adresë të trajnerit aktual të Barcelonës rreth nëntë muaj më parë kur tekniku nga Terrasa linte Lindjen e Mesme për të marrë drejtimin e Barçës. E natyrisht që pas marrjes së detyrës së tij si trajner i Barçës nuk mund të mungonin krahasimet me Pep Guardiolën. Kjo edhe për shkak se ata të dy e shohin futbollin në të njëjtin këndvështrim. Sonte në mbrëmje, në “Camp Nou”, Barcelona e Çavi dhe Siti i Guardiolës do të përballen mes tyre në një miqësore luksi, të ardhurat e së cilës do të dhurohen për luftën kundër sklerozës laterale amiotrofike.

Kjo do të jetë dhe hera e parë që dy trajnerët do të vihen përballë njëri-tjetrit. Të dy ata janë ithtarë të filozofisë që Johen Krojt injektoi te Barcelona. Pep ka luajtur me Krojfin dhe ka mësuar shumë prej tij. Çavi , i cili gjithashtu mori shumë njohuri nga vetë Krojf, mësoi akoma më shumë kur kishte për trajner pikërisht atë që sot do ta ketë rival, Pep Guardiolën. Falë Pepit ai u bë një nga mesfushorët më të mirë në botë, duke qenë magjistari i lojës së katalanasve. “Të merrje mësime nga Pep Guardiola ishte si të bëje një master. Kam mësuar shumë prej tij për vetë mënyrën si është gatuar ai, ambicien që ka, sukseset dhe pasionin që e shoqëron. Ai është i sëmurë pas futbollit, pas taktikës”, ka thënë Çavi pak kohë më parë duke folur për Guardiolën. Futbolli sulmues dhe zotërimi i topit nuk diskutohen as te Barça e as te Siti.
Germa “P” në spanjisht vlen shumë për të dy trajnerët “posesión” (zotërim), “presión” (presing) dhe “posición” (pozicionim). Të dy parapëlqejnë të luajnë me të njëjtën skemë 4-3-3, edhe pse në raste të veçanta bëjnë ndryshime. Ngjashmëritë e tyre janë të shumta, madje që në momentin kur u gjendën në të njëjtën skuadër në vitin 1998 kur Barçën e drejtonte Luis van Gal. Dy stile gati të njëjta përballen sonte në mbrëmje mes tyre në një miqësore, ndërsa nesër hidhet shorti i Ligës së Kampioneve që mund t’i vërë sërish përballë.
REINOLD BAKALLI-Arena e Lajmit
and then