Jurgen Klop është shfaqur entuziast për shortin e Ligës së Kampioneve, edhe pse kualifikimi i skuadrës së tij nuk do të jetë edhe aq i thjeshtë. Liverpuli është në një grup me Ajaksin, Napolin e Rejnxhërs, në disa sfida të cilat ai i komentoi si shumë argëtuese.
“Gjëja e parë që mund të them është se kjo është një sfidë e vërtetë. Të gjitha klubet kanë cilësi, të gjithë kanë histori dhe mund të them se të gjithë e kanë një mundësi. Gjëja e mirë është që e kemi edhe ne, ndaj për ne ka kuptim që të shohim përpara dhe të provojmë shanset tona.
Nuk kemi kërkuar favore dhe nuk na i dha kush, por ky nuk është një turne në të cilin kërkon rrugën e lehtë pasi standardi është gjithmonë jashtëzakonisht i lartë. Diferenca këtë vit është që faza në grupe do të jetë më e shkurtër se zakonisht, ndaj duhet të jemi gati jo vetëm për cilësinë e kundërshtarit, por edhe për kërkesat e ndryshme dhe ritmin që duhet.
Por nuk ka nevojë të kërkojmë shumë për të gjetur informacione për kundërshtarët. Kanë kaluar vetëm dy vite nga periudha kur kemi luajtur dy ndeshje me të vërtetë të vështira ndaj Ajaksit dhe kemi barazuar me Napolin. Ndaj i njohim pak të dy dhe ata na njohin ne. Edhe pse e di që ka disa mësime të reja për t’u mësuar. Rejnxhërs është një kundërshtar i ri për ne, por i njohim edhe ata. Historia e tyre në vitet e fundit ka qenë me të vërtetë interesante dhe kanë bërë me të vërtetë shumë mirë duke u kualifikuar në grupe, duke parë se me kë janë përballur në kualifikuese.
Siguria e vetme në këto momente është se të gjashtë ndeshjet do të jenë jashtëzakonisht konkurruese dhe shumë intensive. Jam entuziast. Është një grup i vërtetë futbolli dhe siç e thashë, një sfidë e vërtetë”, tha Klop.
Arena e Lajmit
