Dueli i sotëm ndaj Teutës, Bellai: I vlerësojmë durrsakët, Bylisi shumë i fortë këtë sezon

Bylisi, pas përfundimit të përgatitjeve për Teutën, është grumbulluar në mënyrë që gjithë fokusi të jetë te ndeshja e sotme. Ballshiotët vijnë në transfertën e Durrësit pas suksesit në shtëpi me krutanët, ndërsa ata do të kërkojnë vazhdimësinë. Trajneri Arjan Bellai tani e njeh më mirë skuadrën, ku sfida me krutanët shërbeu edhe si një test zyrtar për të parë gjendjen e grupit pas fazës përgatitore. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri Arjan Bellai ka folur për gjendjen e skuadrës së tij në prag të sfidës me Teutën dhe synimin që kanë për këtë ndeshje të radhës.

ARIAN BELLAI

Bellai, tani që e njihni më e mirë ekipin, si vlerësoni gjendjen?

Më vjen mirë që gjendja është optimale, ku pas fitores me Kastriotin kemi punuar më të qetë në aspektin psikologjik për ndeshjen e radhës me Teutën. Normalisht që ditët kalojnë dhe e njoh më mirë grupin, por kur kam ardhur si trajner në Ballsh e kam pasur informacionin për ato arsyet që ne kemi përmendur edhe më parë. Kemi punuar mirë dhe lojtarët kanë pasur impenjim maksimal. Kjo më bën optimistë mua dhe gjithë pjesëtarët e Bylisit. Kam djem shumë të mirë që kanë dëshirë të bëjnë punë të mirë e të marrin rezultat, si dhe të shpalosin vlerat e tyre. Ka një gërshetim mes eksperiencës dhe të rinjve.

Ju pret Teuta, sa e njihni kundërshtarin e radhës?

Jam munduar që të njoh për aq sa na intereson në funksion të ndeshjes që ne do të luajmë. Që të jem i sinqertë, Teuta është ekip njësoj si Partizani, Tirana etj. Të mos harrojmë që është ekipi kampion i dy viteve më parë. Ne do të japim më të mirën në ketë sfidë dhe për këtë kemi punuar fill pas ndeshjes në shtëpi me Kastriotin.

Çfarë kërkoni nga ndeshja e Durrësit?

Patjetër që do të japim maksimumin, të vlerësojmë sfidën që nga minuta e parë. Të jemi të përqendruar në çdo top e aksion dhe dyluftimet që do të paraqiten në fushë. Vetëm kështu do të jemi në fushë aty ku duam. Gara sapo ka nisur dhe çdo ndeshje është finale për ne, ku duhet dhënë më e mira si grup dhe për të dalë me maksimumin. Vetëm kështu ne shkojmë drejt realizimit të objektivit sezonal. Duhet që çdo ndeshje të ketë vlerësimin që meriton.

A pritet ndonjë surprizë te Bylisi në fund të merkatos?

Klubi është në merkato, normalisht sa më shumë cilësi i bën mirë skuadrës. Unë jam optimist dhe kam besim në zgjidhjet që do të bëjmë, pasi skuadra ka nevojë për lojtarë dhe sigurisht që Bylisi do të jetë shumë i fortë këtë sezon.

ERJON SALIU – Arena e Lajmit


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×