Me zgjidhjen e problemit të merkatos, trajneri Emiljano Cela është i kënaqur me grupin që ka te Kastrioti. Krutanët ai i quan skuadër fushe. Për “Panorama Sport” ai pohoi se jo vetëm Erzeni, por çdo kundërshtar do ta ketë të vështirë t’u marrë pikë si mysafir.
“Patjetër që çdo humbje lë pasojat e veta. Nuk ka qenë vetëm humbja, por të mërzitur dhe për mënyrën si u paraqitëm në atë ndeshje.
Çdo gjë e kemi lënë prapa dhe tani na pret një ndeshje e radhës, shumë e vështirë ndaj një kundërshtar entuziast, që vjen pas një fitoreje.
Erzeni? Të gjitha ndeshjet në Superiore janë shumë të vështira. Çdo takim do përkushtimin dhe punën e saj. Ne jemi një ekip i konfirmuar në fushën tonë. Jemi ekip shumë i fortë dhe që çdo kundërshtar e ka shumë të vështirë, qoftë të marrë dhe një pikë aty.
Kontingjenti? Mungesa nuk kemi, përveç Grecës që ka shqetësime të vogla. Kemi grupin dhe cilësinë e duhur. Me hapjen e merkatos kemi alternativat e duhura për ta dubluar çdo pozicion.
Lojtarët janë të gatshëm për faza të ndryshme të lojës apo për freskim të ekipit.
Merkato? Të them të drejtën me grupin aktual jam i kënaqur, ku në përgjithësi i kemi të gjitha rolet e dubluara. Në qoftë se vjen ndonjë lojtar shumë cilësor, i hapim derën, sepse futbollistin e mirë të gjithë e duan”, u shpreh trajneri Çela për gazetën para ndeshjes me Erzenin.
– Arena e Lajmit
