“Armik kam kohën, përqendrimi më shqetëson”, Shehi: Kur të largohen lojtarë nga formacioni…

Orges Shehi pranon se Tirana ka shumë për të përmirësuar. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i Tiranës thotë se nuk i fal më ato humbje vigjilence si në Kukës. Shehi i uron gjithë të mirat Tetovës, por vetëm pas ndeshjes me Tiranën. Trajneri i Tiranës si fillim ka ndryshuar skemën e rreshtimit nga 4-3-3 në 4- 2-3-1.

SHEHI

Po kështu, nga ana tjetër, Shehi ka kohë që fushën në “Skënder Halili” e ka ndarë me viza dhe katrorë. Shkurt, trajneri i Tiranës po përdor çdo lloj taktike për të bërë lojtarët që të mësojnë sa më shpejt mënyrën e lojës. Kujtojmë që pas largimit të më shumë se gjysmës së skuadrës, Shehi duhet të ndërtojë një ekip nga e para, që të tregojë veten në fushën e lojës. Në Kukës nuk luajti keq, por mori vetëm një pikë nga përballja e javës së parë të Superiores. Në Rrogozhinë duhet vetëm fitore.

Zoti Shehi, tashmë kemi lënë pas javën e parë. Si ishte ndeshja me Kukësin e parë shumë ftohtë?

Për mendimin tim ishte pozitive. E thashë edhe pas ndeshjes. Me atë që prodhuam në fushën e lojës, them se meritonim më shumë që të merrnim nga ai takim. Për të përmirësuar ka plot gjëra, sepse gjithmonë ka diçka që duhet bërë ndryshe. Ka disa gjëra që më shqetësojnë.

Duhet të rritet vigjilenca dhe përqendrimi në fushë. Është shumë e rëndë që të marrim atë lloj goli që pësuam në Kukës, sidomos në fillim të lojës. Me atë që bën i bie që t’i japësh një mundësi kundërshtarit sapo ka filluar loja dhe në një situatë të parrezikshme. Këto janë gjëra që duhen ndryshuar.

Mund të themi se në këtë moment që flasim Tirana është gati për sezonin e ri futbollistik?

Ne kërkojmë që të përmirësohemi në çdo aspekt në fushën e lojës. Ne nuk jemi skuadra e vjetshme. Kur të largohen shumë lojtarë nga formacioni, sigurisht të duhet koha e mjaftueshme për t’u konsoliduar, sidomos për mënyrën e sjelljes në fushën e lojës.

Për daljet në sulm, sepse faza mbrojtëse është më e lehtë, ndërsa sulmi duhet të ndërtohet në bazë të karakteristikave të lojtarëve që ke. Tani na duhet kohë. Me kaq pak kohë, 2 javë jemi të kënaqur me atë që bëjnë dhe ç’kanë kuptuar lojtarët. Ama e përsëris, kemi shumë për të përmirësuar.

Përballë të dielën do të keni një mik tuajin, që ka qenë në krahun tuaj si ndihmës?

Shorti të përball me kundërshtarë. Këtë javë jemi përballë. Edlirin e kam pasur ndihmësin tim edhe te Skënderbeu dhe këtu te Tirana. Është një trajner i ri. Ka shumë qejf të punojë. I uroj që të ketë suksese, por sigurisht pas kësaj ndeshjeje.

Berisha, Deliu. Mund të themi se Tirana është e plotësuar për sezonin e ri futbollistik?

Ne kërkojmë që të kemi një kontingjent lojtarësh shumë të mirë. Duam 23 lojtarë në nivele shumë të mira, pa harruar elementin e ri që ka qenë prezent në fushë, të paktën në kohën time. Nuk di përpara. Duke u konsoliduar, ardhjet e reja duhet të jenë të përqendruara për këtë kapur idetë sa më shpejt, sepse koha është armikja jonë kryesore.

Cila është surpriza në javën e parë sipas mendimit të Orges Shehit?

Në pamje të parë, skuadrat punojnë riformatohen gjatë verës. Fenomeni i ekipeve shqiptare që është që gjatë verës grupohen dhe bëjnë goditje. Kanë dyndje lojtarësh në çdo repart.

Do të ishte më mirë sikur këta lojtarë të afroheshin më shpejt, gjithmonë në konceptin tim të futbollit. Skuadrat duhet të përforcohen në fillim dhe në fund të ketë vetëm kolaudim. Surpriza ishte Erzeni që mund një kundërshtar si Vllaznia, që për mendimin tim është një skuadër shumë e fortë.

OLSI AVDIAJ – Arena e Lajmit


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×