Albano Aleksi është i bindur që me Tiranën fiton një tjetër titull kampion. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, mesfushori i Tiranës flet për firmën me bardheblutë dhe çfarë pret nga sezoni i ri i Tiranës. Aleksi pranon se me punë, Tirana i merr tre trofetë e sezonit.
Aleksi, keni luajtur sfidën e parë zyrtare në Kategorinë Superiore me Tiranën. Si e keni parë barazimin në Kukës?
Në fakt, kam dy muaj që po luaj me ekipin e Tiranës dhe që në fillim djemtë e ekipit më kanë afruar. Kanë qenë shumë pozitivë. Duke parë këtë gjendje them dhe besoj se fryma e grupit do të jetë e njëjtë deri në fund të kampionatit. Them se do të jetë një frymë shumë pozitive.
Si e keni parë skuadrën këto kohë. Ju tani jeni titullar i padiskutueshëm në mesfushë?
Kemi një ekip shumë të fortë, ama kjo është një gjë. Këtë forcë ne duhet ta tregojmë javë pas jave. Madje, duhet ta vazhdojmë në ndeshjen me Egnatian. Në sfidën me Kukësin ne prodhuam shumë lojë, prodhuam shumë raste, por gabuam shumë në finalizim.
Kjo skuadër e cila po plotësohet dita-ditës, a mund ta mbrojë titullin kampion?
Normal që e mbron, sepse duke parë kualitetin e ekipit dhe cilësinë e lojtarëve që janë të mirë. Po kështu edhe lojtarët e rinj të skuadrës që kanë ardhur së fundmi shpresoj që t’i japin një shtysë më shumë. Patjetër që unë e dua një tjetër titull me Tiranën.
Aleksi është një lojtar që mund të luajë në mesfushë dhe në mbrojtje. Mund ta bëni sërish?
Këto janë zgjedhje të trajnerit, sepse çdo lojtar nëse i kërkohet nga trajneri që të bëjë diçka unë do ta bëj po aq mirë sa di ta bëj. Kam luajtur dhe me Teutën qendërmbrojtës, por këtu nuk e kam provuar këtë shije. Shpresoj që trajneri të më japë detyrën e mesfushës që është edhe roli im. Ama, nëse trajneri ka nevojë unë do të luaj qendërmbrojtës.
Çfarë i duhet kësaj skuadre që të përsërisë vitin e shkuar?
Kësaj skuadre i duhet optimizëm brenda grupit për të shkuar sa më shumë përpara dhe të ketë sa më shumë ego për të fituar trofetë e sezonit.
Ju keni shëtitur në disa skuadra. Si është të veshësh fanellën e Tiranës?
Normale që është një ndjesi shumë e veçantë se Tirana është klubi më i madh në Shqipëri. Jam krenar që jam pjesë e këtij klubi. Shpresoj që të jem sa më gjatë dhe të fitoj trofe.
Çfarë ka ndryshe Tirana nga skuadrat e tjera?
Tirana ka ndryshe shumë gjëra. Është një ekip me traditë dhe shumë trofe, por ka diçka: çdo lojtar dëshiron të vijë te Tirana, sepse emri i klubit bëhet i madh sa edhe ekipi. Shpresoj që lojtarët që janë këtu ta kuptojnë cilësinë dhe peshën e fanellës që veshin.
Ka kohë që Tirana nuk i fiton të tre trofetë e sezonit. Ju e keni bërë te Teuta?
Po besoj se po, por kjo arrihet me punë. E rëndësishme është që po punojmë mirë. Grupi është dhe shumë e rëndësishme është që t’i marrim ndeshjet një nga një dhe të marrim sa më shumë pikë këto dy faza të para dhe të dalim kampionë. Jam i bindur që po. Me Teutën dola kampion, dhe, pse jo të mos dal kampion me Tiranën pas disa vitesh. Titulli është ndjesi shumë e madhe për mua duke e fituar me Tiranën.
Cila ishte surpriza e javës së parë dhe cili është kundërshtari i Tiranës për titullin?
Kundërshtar në javën e parë nuk pashë, por kundërshtari i Tiranës është vetvetja. Duke filluar që nga vetja, duke i marrë ndeshjet seriozisht, besoj se nuk do të kemi kundërshtarë, pa harruar që të jemi me këmbë në tokë, duke luftuar çdo ndeshje për tri pikë.
OLSI AVDIAJ – Arena e Lajmit
