
Zbardhet dosja që rrëzoi rekursin e ish-policit Jeton Lami që ka shërbyer si truprojë e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj.
Në pretendimet e tij në rekursin e bërë ndaj vendimit të Apelit për ta lënë në burg, Lami shprehej se masa e sigurisë arrest me burg i rrezikonte jetën dhe kërkonte masa më të butë sigurie.
Por në vendimin e Gjykatës së Lartë thuhet se nuk ekzistojnë rrethanat në të cilat Jeton Lami mund të bëjë një rekurs të vendimit të marrë në shtatë shkurt.
VENDIMI:
“19. Kolegji Penal vlerëson se asnjë nga pretendimet e ngritura në rekurs nuk i referohet shkaqeve të rekursit të parashikuara nga 432 i Kodit të Procedurës Penale. Pjesa e pretendimeve në rekurs që ngre çështje të vlerësimit të provave del jashtë juridiksionit ekskluzivisht ligjor të Gjykatës së Lartë.
Në të gjitha rastet kur rekursi nuk i përmbahet shkaqeve të përcaktuara nga neni 432/1 i Kodit të Procedurës Penale, Kolegji Penal vendos mospranimin e rekursit.
Qëndrimi që mban Kolegji për rastin në shqyrtim, bazohet edhe në jurisprudencën e konsoliduar të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, që referon në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sipas të cilave shkaqet e parashtruara në rekurs që rezultojnë haptazi të pabazuara vlerësohen si të papranueshme për pranimin e rekursit.
Kolegji vlerëson se Gjykata e Apelit Tiranë ka arsyetuar vendimmarrjen e saj dhe nuk ka shkaqe për cënimin e saj.
Gjithashtu Kolegji nuk konstaton shkelje të ligjit material apo procedural penal prej Gjykatës së Apelit.