Bajern Mynih po përballet me problemin e shtatlartësisë në repartin ofensiv, boshllëk i shkaktuar nga largimi i sulmuesit Robert Levandovski, i cili shkoi në drejtim të Barcelonës. Sfida e fundit ndaj Myshëngladbahut, e vlefshme për javën e 4-t të Bundesligës, vuri në dukje një problematikë të tillë, aq sa trajneri Julian Nagelsman u detyrua të vendoste në rolin e pykës mbrojtësin e ardhur nga ekipi i Juventusit, Matajs de Ligt. Por cili ishte arsyetimi i trajnerit të Bajernit?
“Matajs është lojtari më i mirë në goditjet me kokë që kemi në skuadër. Ka pak sulmues të cilët dinë të shënojnë në goditjet me kokë. Do duhet të shtoj se lojtarët e tjerë në stol nuk e përmbushnin kriterin, kështu që zgjedhja e De Ligt ishte shumë e thjeshtë për situatën ku ndodheshim”. Ndjesia do të shpërndahej edhe tek “aktori” i improvizimit të Nagelsmanit, Matajs de Ligt, i cili e kishte edhe ndeshjen e parë përpara tifozerisë vendase: “Pozicioni i sulmuesit nuk është normal për mua, pasi kryej rolin e mbrojtësit qendror. Gjithsesi, nuk është diçka e panjohur për mua, pasi më parë e kam provuar edhe në kohën kur luaja për Ajaksin. Vetëm një herë më rezultoi e suksesshme, ndërsa sot nuk funksionon”. Matajs u ndal shumë shkurt edhe te pritja që i rezervoi tifozeria vendase:
“Bajerni është klub i madh, me shumë histori, trofe, legjenda, tregues se çfarë tifozerie e ndjek. Jam shumë i lumtur që jam pjesë juaja”, përfundoi 23-vjeçari. As Tomas Mylerit nuk mund t’i shpëtonte një detaj i tillë, duke i kthyer nostalgjinë për ishshokun e skuadrës, Daniel van Bujten: “Matajs më kujton Van Bujten. Ai ishte goleador në goditjet me kokë. Mbaj mend se në çastet e fundit të takimit kur ne nuk ndodheshim në pozita triumfuese, Danieli ndodhej në zonën kundërshtare, për të pritur krosimin e duhur në goditjen drejt kuadratit si sulmues race”, e mbylli me nostalgji bisedën 32-vjeçari.
Arena e Lajmit
