Është gjithnjë Arsenali i pari i klasës, me pikë të plota pas 4 ndeshjeve në Premier Ligë, por sa vuan për të thyer Fulhamin luftarak në “Emirates”, që pësoi humbjen e parë sezonale pasi kaloi i pari në avantazh. Vendosi Gabriel, por jo Zhezus i cili duket sikur bën diçka magjike sa herë prek topin. Por ishte Gabriel Magalhaesh, i cili 4 minuta larg vërshëllimës finale, nga zhgënjim shndërrohet në heroin e “Topçinjve” pas gafës që u dhuroi avantazhin miqve me Mitroviç në fillim të pjesës së dytë.
Skuadra e Artetës e cila pati rastet më të mira në pjesën e parë arriti të marrë rezultatin që i duhej dhe bëri nisjen më të mirë në 18 vitet e fundit. Odegard barazoi pas një ore, me goditjen e devijuar nga Adarabiojo dhe murin e miqve e thyen përfundimisht në 86′ kur Gabriel gjendet në momentin e duhur te topi nga goditja e këndit pasi Saliba pengoi daljen e Lenos.
“Emirates” shpërthen në festë. Arsenali arrin të fitojë katër javët e para të Premier Ligës për herë të tretë në histori, pas sezonit 2003-’04, kur ata fituan titullin ndërsa në 2004-’05 u renditën të dytët. Por, trajneri Arteta nuk do të dëgjojë të flitet për titull pas vetëm 4 javësh: “Ky është vetëm fillimi i një sezoni të gjatë. Ne duhet të qëndrojmë të përulur dhe të uritur. Është një fitore e madhe për mënyrën se si erdhi. Bëmë një gabim, por mënyra se si u përgjigjëm është me të vërtetë shumë e bukur. Jam shumë i kënaqur me lojën, me sjelljen e lojtarëve dhe mentalitetin që treguan. Na u desh të tregoheshim të duruar”.
Arena e Lajmit
