Mosha 33 vjeç e lart/ Nga Benzema te Leva, ja “gjyshët” e golit në La Liga

Gazeta spanjolle “Marca” u ka kushtuar një shkrim të posaçëm klubeve në La Liga, dhe, në veçanti, repartit të sulmit. Ajo që bie në sy është se më shumë se gjysma e klubeve të elitës së futbollit spanjoll kanë në përbërje të tyre një sulmues veteran. Gazeta spanjolle e hap shkrimin e saj me këto fjalë: “Kërkohet sulmues i profilit golashënues për ekipet e kampionatit spanjoll. Eksperienca minimale: 33 vjeç”.

FC Barcelona v Real Valladolid CF - LaLiga Santander

Kjo në fakt ngjan me një lajmërim për vend pune, nga ato që jemi mësuar shpesh t’i shohim nëpër gazeta apo kënde njoftimesh, por në të vërtetë kjo përkon me profilin e shumë prej golashënuesve që sot aktivizohen në La Liga. Listës së veteranëve të sulmit në La Liga i është shtuar dhe Edinson Kavani. Ai ka zbarkuar në Valencian në moshën 35 vjeç për të firmosur një kontratë 2-vjeçare. Sulmuesi nga Uruguai i është bashkuar një liste të gjatë ku qëndrojnë emra të rëndësishëm si: Benzema, Levandovski, Negredo, Radamel Falkao, Stuani, Iago Aspas apo Raul Garsia.

GARANCI GOLASH NË MADRID E BARCELONË – Çfarë do të themi për pikën e referimit të sulmit të Realit të Madridit? Në dhjetor do të mbushë 35 vjeç, por Karim Benzema është në momentin më të mirë të karrierës së tij. Ai është pretendenti kryesor për “Topin e Artë” dhe arriti të shënojë 44 gola sezonin e kaluar, duke u bërë golashënuesi më i mirë në La Liga dhe Champions League.

Këtë fundjavë ai shënoi një dopietë ndaj Espanjolit. Diçka e ngjashme po ndodh dhe me Robert Levandovskin. Sulmuesi polak është basti i madh i Barcelonës në këtë merkato transferimi. Ai zbarkoi në Spanjë pas një dekade suksesi në Gjermani me Dortmundin e Bajernin e Mynihut. Pak ditë më parë ai mbushi 34 vjeç dhe tashmë ka katër gola në vetëm tre ndeshje në La Liga.

“ROKERËT E VJETËR NUK VDESIN” – Ka shënuar gola të shumtë me Almerian, Seviljen, Sitin, Valencian, Midëllsbroun, Beshiktashin, Al Nasër dhe tani Kadizin. Po flasim për Alvaro Negredon, një nëntë puro që numëron 250 rrjeta në karrierë në 4 kampionate të ndryshme.

Sapo ka mbushur 37 vjeç dhe është një nga sulmuesit më të vjetër në kompeticion. Kalojmë nga një ish-vajekanos nderi, te një legjendë që ka zgjedhur klubin e vogël të Madridit për të treguar se ka ende për të dhënë. Po flasim për 36- vjeçarin Radamel Falkao, i lindur në Santa Maria në Kolumbi dhe që në vitin 2021 la Turqinë për t’u kthyer përsëri në Spanjë në radhët e Vajekanos.

VETERANET

Pak a shumë në të njëjtën moshë gjejmë Raul Garsian, i cili la Atletikon e Madridit, për t’iu bashkuar Atletikos së Bilbaos. Por duke pranuar një vend zëvendësuesi për t’i lënë më shumë hapësirë gjeneratës së re.

KAVANI I FUNDIT – Gatuzo e dëshironte me doemos në skuadër një sulmues si Kavani dhe klubi ia plotësoi dëshirën italianit. 35- vjeçari do të luajë në La Liga.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – Arena e Lajmit


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×