Kukësi nuk i ka bërë një nisje të mirë kampionatit. Ndaj Vllaznisë “djeg” shumë ai aksion në minutat shtesë, pasi blutë mund të dilnin me një pikë, e cila do të kishte më shumë vlera morali, sepse edhe një humbje nuk ndryshon asgjë sa u përket objektivave të skuadrës.
Megjithatë, në klub nuk kërkojnë ta bëjnë dramë, por të shohin përpara, pasi, në njëfarë mënyre, edhe e prisnin një nisje të tillë, për shkak se lojtarët e afruar kërkojnë kohë për t’u përshtatur. Nëse pjesa e parë e Kukësit ishte shumë e dobët, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për të dytën, pasi loja ndryshoi tërësisht, kjo edhe në saj të zëvendësimeve. Pikërisht, ai që dha iluzionin se ekipi do të dilte me një barazim, ishte kroati Ante Zivkoviç.
Sulmuesi erdhi këtë merkato për të bërë bomberin, por që nuk ka bindur gjatë fazës përgatitore. 29-vjeçari luajti në pjesën e dytë dhe arriti të realizojë pak minuta pas hyrjes në fushë, duke dhënë sinjale pozitive dhe u përpjekur për të fituar një fanellë titullari në sulm. Jo vetëm që shënoi, por fitoi edhe duelet ajrore me mbrojtjen kundërshtare dhe krijoi panik në zonën shkodrane. Nëse kroati do të arrijë në formën që pretendohet, do të ishte një armë plus për blutë në majën e sulmit. Duke përfituar nga mungesa e Klejdi Dacit edhe këtë javë, Gega pritet t’i japë Zivkoviçit një fanellë titullari ndaj Kastriotit, për më tepër që ai është edhe “pyka” e vetme në skuadër.
Për shumë minuta ndaj Vllaznisë luajti në qendër të sulmit i riu Françesko Hasaj. Ndërkohë, klubi është ende në bisedime për të bërë përforcime të tjera në merkato. Janë orët e fundit të saj dhe fokusi është tek një qendërsulmues dhe një mbrojtës. Deri më tani kanë rënë të gjitha pistat e mëparshme, për shkak të kërkesave të larta ekonomike që kanë pasur lojtarët e kontaktuar. Mbetet për t’u parë nëse do të mbyllet ndonjë marrëveshje deri më 31 gusht, kur dhe është afati i fundit i federimeve të lojtarëve.
VLADIMIR MEMA – Arena e Lajmit
