
Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike kryetari i kësaj force politike Sali Berisha ka thënë se nëse demokratët nuk e rikthejnë votën në vend nuk do të ketë të ardhme pasi Edi Rama nuk ka për ta rikthyer atë, por vetëm e dhunon përmes shtetit që e ka transformuar.
Berisha shtoi më tej se kryeministri Rama ka bërë pazare me një grusht njerëzish për të zhdukur Partinë Demokratike dhe pluralizmin politik në vend, ndërsa u bëri thirrje anëtarëve të forcës së tij politike që të organizohen dhe të zhvillojnë një fushatë elektorale model.
“Po nuk rikthyem votën të ardhme nuk kemi, Edi Rama nuk rikthen votë. Ai ka transformuar shtetin në një makineri përbindëshe të dhunimit të votës. Ai ka mobilizuar të gjitha bandat, të gjitha mjetet kundër saj por ajo nuk vdes, atë nuk e vret dot ai. Kjo është rruga e vetme për të ngjallur shpresë dhe për të shënuar kthesën e madhe. Shumë punë e djersë është derdhur por duhet të jemi të hapur prapë.
Unë gjykoj se ndeshjen e fuqishme në këto zgjedhje do e fitojmë por krahas saj kemi betejën me Edi Ramën, betejën për t’i dhënë atij mësimin që meriton për përpjekjen që bën për të zhdukur PD-në përmes pazareve me një grusht njerëzish të marrë peng që nuk anë ligj e as moral, por përsëri është Edi Rama sepse po të mos ishin ata do ishte dikush tjetër. Është beteja e tij me pluralizmin politik dhe kundërshtarin ndaj dhe ne duhet të bëjmë një fushatë model, të fuqishme dhe një mbështetje të plotë të kandidatëve tanë. Shikoni çfarë bëhet me bashkinë e Tiranës, si e sulmojnë njëri-tjetrin, ne ia lamë anëtarësisë të votojë jo me intriga e ryshfete. Ndaj dhe duke iu uruar ju të gjithë anëtarëve për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri uroj që vitin e ardhshëm ta shndërrojmë në një vit të madh shprese, besimi e fitoreje për Shqipërinë e shqiptarët”, tha ai.