Ardit Deliu, blerja e fundit e Tiranës, beson se bardheblutë do të fitojnë titullin kampion. Mesfushori i 26 herë kampionëve flet në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”. Lojtari rrëfen përse u largua nga Letonia. Çfarë e shtyu që të firmoste me bardheblutë dhe çfarë do të bëjë këtë sezon.
Në fakt, Deliu vetëm para pak kohësh firmosi për klubin letonez, Liepajën. Deliu në Letoni në “Virsliga” është aktivizuar në tetë takime, ku ka dhënë 1 asist dhe ka luajtur 423 minuta.
Edhe në Europë me letonezët nuk është aktivizuar shumë. Në katër sfida ka qenë në fushë vetëm 2 herë si zëvendësues, duke u aktivizuar vetëm 54 minuta. Për sa i përket 24- vjeçarit nga Kavaja, Deliu ka qenë një nga futbollistët kryesorë të ekipit kurbinas gjatë sezonit që lamë pas. Ai u aktivizua në total në 30 ndeshje të Superiores.
Ardit Deliu, keni vendosur të luani me Tiranën këtë sezon. Pse vendosët për këtë ekip?
Ishte një zgjedhje shumë e thjeshtë e karrierës time. Tirana është klubi më i madh në Shqipëri. Çdo lojtar ka kënaqësi dhe dëshira. Edhe unë, që i vogël, e kam pasur ëndërr një ditë të luaj për këtë skuadër të madhe si Tirana. Ju nuk kishit shumë që u transferuat jashtë vendit.
Përse u larguat nga Letonia?
U largova sepse gjërat nuk shkuan siç duhet. Pritshmëritë nuk ishin ashtu siç i kisha menduar në fillim. Klubi nuk ishte korrekt siç e mendoja. Në këto kushte ishte më e volitshme që të mos harxhoja kohë dhe kthehesha në Shqipëri për një skuadër të madhe për një etapë tjetër të karrierës.
Si e vlerësoni këtë aventurë me Tiranën, do të katapultojë sërish në Europë?
Dihet që Tirana është Tirana. Ekipi e ka bazën që nga sezoni i shkuar. Në këto kushte objektivi kryesor i ekipit tonë është titulli kampion.
Si e shihni Superioren këtë sezon, pra si e latë dhe si e gjetët kampionatin?
Superiorja mbetet e fortë si zakonisht. Edhe ekipet që kanë hyrë këtë vit besoj se do të jenë kompetitive. Nuk do të jetë e lehtë. Lufta për titull dhe për Europë do të jetë e fortë. 4-5 skuadrat e para besoj se do të luftojnë me njëratjetrën. Shpresoj që të jemi mbi ta.
Do të keni konkurrencë në mesin e fushës?
Normalisht që po në repartin ku luaj unë ka lojtarë cilësorë, si Limaj, Aleksi, Kallaku dhe të tjerë. Ama, unë gjithmonë do të jap maksimumin dhe atë që di të bëj. Pastaj kush është më i zoti do të luajë.
Kë njihnit nga djemtë?
Redonin. Kemi luajtur bashkë te Laçi, jemi shumë shokë. Edhe me të tjerët njihem nga eksperienca të ndryshme.
Kë shihni nga kundërshtarët e Tiranës për titull?
Me sa kam parë dy javët e para, Partizani dhe Vllaznia do të jenë konkurrente të forta.
Laçi?
Këto dy javë nuk ka treguar që mund të jetë për titullin kampion.
OLSI AVDIAJ – Arena e Lajmit
