
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë një takimi me pedagogë, arsimtarë e intelektualë ka folur mbi gjendjen e arsimit në vend, teksa ka thënë se vendi është në emergjencë dhe se vetëfinancimi nuk është asgjë veçse vetëfalimentim i qëllimshëm për universitetet.
Berisha deklaroi se nëse vjedhja në vend bëhet nga kryeministri ajo bëhet universale, ndërsa bëri përgjegjës Ramën për gjendjen e sistemit arsimor në vend duke thënë se një njeri që mburret se nuk ka master e doktoratë kuptohet çfarë alergjie ka nga kërkimi shkencor.
“Ne jemi në emergjencë, kjo është e vërteta. E vërteta është dhe duhet ta ketë të qartë çdo pedagog, çdo asistent e student se vetëfinancimi nuk është asgjë veçse vetë falimentim i qëllimshëm si shumë veprime të tjera. Është një proces i cili do t’i shtyjë universitetet tona drejt shuarjes natyrale dhe asgjësimit të tyre. E vërteta është se kontrata 1-bjeçare nuk është gjë veç se vetting politik për trupën akademike të vendit. Kontrata i duhet këtij regjimi mafioz që bazohet në krimin, korrupsionin, vjedhjen për të seleksionuar me kriter partiak atë trupë pedagogjike që mbetet. Nuk ka njeri, nuk ka universitet që të mund të imagjinojë një trupë pedagogjike kaq fluide me kontratë 1-vjeçare kaq të pasigurtë sa u thotë mendja këtyre qeveritarëve.
Studentët duhet ta dinë se aktualisht pas atyre në Britani dhe në Holandë, ata në Shqipëri kanë tarifat më të larta n Evropë, ndërsa në proporcion zënë vendin e parë. Unë u garantoj se për ne arsimi i lartë do jetë prioritet themelor në të gjitha rrafshet buxhetore. Financimi për arsimin e lartë do kapë vlerën 2% të PBB, do trefishohet investimi për kërkimin shkencor. Gjithçka që i jep perspektivë universitetit, por kur ka një njeri që mburret se nuk ka as master e as doktoratë e kuptoni se çfarë alergjie ka ai ndaj kërkimit shkencor. Ai ndërpreu për 8 vite doktoratat, të cilat janë ndër proceset më të rëndësishme të universiteteve”, u shpreh ai.