“Fituam me zgjuarsi, tani pres vetëm…”, Alegri: Paredes, ai që më mungonte te Juventusi!

Leandro Paredes është më në fund një futbollist i Juventusit. Ndonëse PSG-ja u dorëzua pak pas orës 18:00 të pasdites së djeshme, zyrtarizimi nga ana e “Zonjës së Vjetër” erdhi në orën 19:32, pas të cilit mesfushori argjentinas u nis me avion privat nga Paris e për të zbarkuar pak përpara se bardhezinjtë të nisin ndeshjen me Specian.

PAREDES

I shoqëruar nga bashkëshortja dhe fëmijët e tij, 28- vjeçari kërkoi që së bashku me ta, të nisej direkt drejt “Allianz Stadiumit”, për të parë skuadrën e tij të re në aksion, e cila nuk e ka zhgënjyer. Madje, Paredes u ngjit në tribunë sapo arbitri urdhëroi fundin e pjesës së parë dhe më pas shijoi edhe golin e sekondave të fundit të Arkadiuzh Milikut, që i dha qetësinë përfundimtare Juventusit.

SHIFRAT E AKORDIT – Di Maria ishte i pari që e dha lajmin, duke iu përgjigjur postimit të bërë nga Paredes:

“Angel, më prit, sapo u nisa”, dhe nga sot të dy së bashku do të kenë mundësinë që të vazhdojnë gjithçka kishin nisur te PSG-ja për vite me radhë.

Nisur me shifrat e akordit, Juventusi i ka zbardhur të gjitha ato, me anë të një njoftimi zyrtar.

Paredes ka firmosur për një sezon në huazim, për një vlerë prej 2.5 milionë eurosh, ndërkohë që blerja mund të bëhet e detyrueshme për një total prej 22.6 milionësh, në varësi të plotësimit të një numri prezencash e statistikash të tjera nga ana e mesfushorit.

Ndërkohë, edhe vetë lojtari do të ketë të sigurt si rrogë nga Juventusi 2.2 milionë euro, shifër kjo e cila mund të rritet deri në 3 milionë, në varësi të paraqitjeve të tij. Dhe kështu, më në fund, trajneri Masimiliano Alegri ka futbollistin e shumëkërkuar prej tij, pas dëmtimit të Pol Pogbasë.

“Mirëmbrëma të gjithë tifozëve bardhezi.

Doja t’iu përshëndesja, pasi jam shumë i lumtur që jam këtu. Forca Juve”, ishte mesazhi i parë i shpërndarë në rrjetet sociale nga Leandro Paredes.

alegri

ALEGRI, NË EKSTAZË – Përpara se të komentonte ndeshjen dhe fitoren jo pak të rëndësishme nga ana e Juventusit, “Konti Maks” u ndal me elozhe për afrimin e fundit.

“Sa i lumtur jam për Paredesin? Pse nuk duket?! – nënvizon trajneri i ‘Zonjës së Vjetër’ me një buzëqeshje në fytyrë. – Leandro është një lojtar i madh, i cili rrit cilësinë e mesfushës sonë.

Do të ndihmojë shumë në ndërtim Lokatelin, por jam sidomos shumë i lumtur që nga e premtja do të mund të punojmë pa këto zërat e merkatos përreth, pasi janë shumë të bezdisshme.

Gjithsesi, unë mendoj se ne e përmbushëm misionin tonë në këtë periudhë transferimesh dhe jam vërtet i lumtur për punën e bërë nga drejtuesit.

Jam shumë i lumtur që e mbyllëm këtë sesion me një lojtar si Paredesi, i cili do të na ndihmojë shumë, në pritje të rikuperimit të plotë të Pogbasë dhe Kiezës.

Në të njëjtën kohë jam i lumtur për fitoren ndaj Specias, në një sfidë delikate, por të luajtur nga ne me shumë inteligjencë, pasi këto tri pikë nuk mund t’i gabonim dhe tani jam më i qetë në pritje të Fiorentinës”, u shpreh Alegri.

Përgatiti: JETON STAMOLLA


“Fituam me zgjuarsi, tani pres vetëm…”, Alegri: Paredes, ai që më mungonte te Juventusi!

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook