Trajneri Kolela e nisi aventurën e tij te Partizani me zgjedhje shumë të ndryshme nga Mehmeti. Gjithsesi, ende nuk i ka qartësuar idetë, pasi në skuadër ka një dinamikë zhvillimesh. Merkatoja është ende e hapur dhe një pjesë e lojtarëve kanë ardhur së fundmi, teksa ndonjë tjetër pritet në ditët në vijim.
Gjithashtu, emra si Mensah dhe Romero janë ndalur për shkak dëmtimesh. Të gjitha këto lëvizje e vënë në mjaft dilema trajnerin, megjithatë, Kolela i ka vënë disa pika mbi “i”. Ai e ka zgjedhur tashmë titullarin në portë dhe ai do të jetë Rexhepi.
Në mbrojtje, Bitri dhe Hadroj janë dy të paprekshmit, ndërsa Buxhelaj dhe Sota duhet të luftojnë me Atanaskoskin dhe Menish për ta fituar vendin. Në mesfushë, Rrapaj është “i betonuar” në formacion, ndërsa Matondo duket se po e fiton 11-shen me “dhunë”.
Në ndeshjen e fundit, Kolela zgjodhi shpirtin luftarak të Muratajt përpara eksperiencës dhe klasit të Telushit. Hoti, pas sulmuesve, gjithashtu e ka vendin të sigurt. Skuka është ylli i ekipit dhe stoli për të është fjalë e huaj, ndërsa Da Silva duket një shoqërues mjaft i mirë për dibranin në ofensivë.
Arena e Lajmit
