Hakan Çalhanoglu ka nisur sezonin e tij të dytë me fanellën zikaltër, ngjyra që i zgjodhi pasi kontrata e tij me Milanin skadoi.

Transferimi te rivalët e qytetit nuk i është falur ende mesfushorit nga tifozët kuqezinj që e kanë treguar këtë në çdo derbi të sezonit të shkuar me anë të vërshëllimave, por në fakt u duk se nuk u fal as nga ish-shokët e tij të skuadrës.
Ishte Zlatan Ibrahimoviç që në festën e titullit thumboi dhe inicioi kore kundër turkut, që nuk e priti aspak mirë veprimin e ishshokut të tij të skuadrës.
28- vjeçari ka tashmë një llogari të hapur më gjigantin suedez, të cilën do të tentojë ta mbyllë pasditen e së shtunës, atëherë kur do të ketë përballë Milanin.
Vërtet Ibra nuk do të jetë në fushë, por si gjithmonë, do të jetë i pranishëm në tribunë dhe Çalhanoglu do të provojë të gjejë golin ashtu si një vit më parë e ndoshta t’i përgjigjet me mënyrën e festimit edhe sulmuesit kuqezi, ashtu siç me duart në vesh u përgjigjej tifozëve të Milanit pas golit me penallti në nëntor.
FJALËT E ÇALHËS – “Kam arritur në kuotën e 50 ndeshjeve me Interin dhe shpresoj të mbërrij sa më shumë të jetë e mundur.
Jam shumë i lumtur këtu, m’u bë qejfi për atë asist të dhënë për Barelën ndaj Kremonezes pasi na vjen spontanisht pas kaq shumë kohe bashkë në derbi.
E dimë se Milani është i fortë dhe do të jetë e vështirë, por ju garantojmë se ne kemi një zjarr brenda nesh për këtë ndeshje.
Na vlon gjaku”, u shpreh Çalhanoglu për kanalin e klubit, duke folur edhe për Lukakun, për të cilin ishte shprehur më parë se mund të bënin mirë edhe pa të.
“E them përsëri që kemi bërë mirë vjet edhe pa të, por sigurisht që na vjen keq dhe duam ta kemi sa më shpejt në fushë.
Megjithatë, Romelu na jep forcë edhe nga jashtë fushe”, tha turku që do t’i ketë edhe një herë tjetër projektorët mbi vete, deri në rikthimin në fushë të Ibrës dhe Lukakut, protagonistë absolutë të derbit pas asaj përplasjeje në duelin e Kupës së Italisë.
Përgatiti: NISLI GJINI
and then