Rihapja e basteve sportive në situatën e krijuar, ka problematika dhe gjëra të paqarta që aktorët dhe faktorët ende nuk i kanë sqaruar. Së pari, aktorët e sportit, duke përfshi KOKSH-in dhe drejtuesit e disa federatave, kanë rënë dakord që këto të hapen dhe një pjesë nga taksimi i tyre të kalojnë për zhvillimin e sportit në vendin tonë.
Por në situatën që u krijua në Shqipëri në fund të 2018-ës, ku bastet sportive u mbyllën pa asnjë lloj studimi, ku u humbën vende pune dhe vjelje të ardhurash nga shteti, sot kthehen. Por edhe me rihapjen tyre, sërish nuk është bërë asnjë studim se sa u humbën apo u fitua nga mbyllja e tyre para afro katër vitesh. Së dyti, këta njerëzit e sportit, që duan me ngulm hapjen e basteve sportive, përsëri nuk janë të qartë në kërkesat dhe thirrjet e tyre.
Si KOKSH-i apo federata përkatëse nuk dalin të thonë se sa nevojë për financa kanë në çdo vit. Pikëpyetja tjetër ka të bëjë ministrinë që përfaqëson sportin. Kjo ministri, apo vetë qeveria, duhet të kishte ngritur ndonjë grup pune dhe t’u kishte kërkuar të gjithë aktorëve që kërkojnë rihapjen e basteve dhe rimbursim nga ky aktivitet, të kishte kërkuar llogari dhe të bënte një pyetësor se sa të ardhura grumbullojnë këtë organizata nga marketingu, shitja e biletave, sponsorizimet apo rrugë të tjera arkëtimesh. Duke bërë një pasqyrë të saktë financiare, të bëhet edhe shpërndarja e grantit që do të përfitojë sporti në vendin tona nga pjesa e taksimit të basteve sportive.
Një federatë që e ka bilancin vjetor zero apo minus, pse duhet të përfitojë financim nga bastet kur aktiviteti apo produkti i saj është jorentabël. Së treti, thuhet se me rihapjen e basteve, aktiviteti do të funksionojë vetëm online, duke evituar sallonet e prekshme. Pse vallë luajtja e basteve online i mbron njerëzit nga vesi. Ngërçi në këtë pikë është se aktiviteti online është më i vështirë për t’u gjurmuar dhe taksuar, pa i hyrë pjesës legale dhe ilegale.
Një bastexhi shqiptar, duke iu hapur dritarja për të luajtur online, mund ta ushtrojë veprimtarinë me llogari të hapur në kompani të huaja që nuk taksohen fare në vendin tonë. Nëse do të luheshin në pika fizike, pa dyshim skedina e luajtur do të shoqërohej me faturë dhe kupon tatimor, si dhe do të punësoheshin edhe njerëz. Së katërti, thuhet se çdo lojtar do të vërë baste duke përdorur mjetin e tij të identifikimit.
Duke jetuar në Shqipëri, në një vend ku privatësia mungon dhe të dhënat e çdo personi kanë dalë sheshit, i bie se kjo metodë është edhe më rrezikshme. Me të dhënat personale që janë publike në internet, mund të ndodhë që personat të përdorin identitete të rreme për të zhvilluar këtë aktivitet që kthehet në kriminal.
Arena e Lajmit
