Që Premier Liga është kampionati me fuqinë më të madhe ekonomike në të gjithë botën, kjo nuk përbën ndonjë risi. Klube si Mançester Siti, Mançester Junajtid, Liverpuli, Çelsi, Arsenali, Totenhemi, janë ata që shpenzojnë rregullisht më shumë se kushdo tjetër vit pas viti. Kjo e bën të pamundur konkurrencën nga rivalët. E në këtë mënyrë të gjithë yjet joshen nga milionat e panumërt që ofrohen në Premier, por dallimi i vërtetë dhe i madh mes Premier Ligës dhe kampionateve të tjerë në Europë është pikërisht në pjesën e poshtme të tabelës.
Sidomos ndër më modestët, ata që sapo janë ngjitur nga një kategori më e ulët. Pikërisht aty, nëse shikon, mund të kuptosh se britanikët jetojnë një realitet krejtësisht të ndryshëm nga ai i kampionateve të tjerë, falë një shpërndarjeje shumë më të barabartë të pasurisë dhe të drejtave televizive midis skuadrave që përbëjnë konkurrencën. Këtë vit gjërat janë bërë edhe më të qarta. Nëse thjesht marrim parasysh klubet që janë ngjitur në elitën e futbollit në pesë kampionatet më të rëndësishme në Europë, “torta” i shkon Premier Ligës me një avantazh të tmerrshëm krahasuar me rivalët. Në total, mes Fulham, Bornmëth dhe Notingem Forest kanë shpenzuar 231.3 milionë euro për të afruar lojtarë. Diferenca me kampionatet e tjerë elitarë në Europë është kolosale, por të mendosh se “rivali” më i afërt i Premier është Seria A, ku klubet e ngjitura në këtë sezon, Monza, Kremoneze dhe Leçe kanë shpenzuar së bashku 49.3 milionë euro.
Në kampionatin spanjoll, klubet e ngjitur në këtë sezon në Primera Division kanë shpenzuar 28.4 milionë euro, me Almerian, Vajadolidin dhe Gironën që më së shumti kanë menduar të ruajë grupin e sezonit të kaluar dhe të shpenzojë më pak. Spanja është kampionati i tretë për nga shpenzimet e klubeve të ngjitura në këtë sezon në elitë. Më pas vjen Bundesliga më afërisht 12 milionë euro dhe mbyll pesë kampionatet më të rëndësishme Franca, ku klubet e ardhura nga “poshtë” kanë shpenzuar vetëm 10 milionë euro për të përforcuar skuadrën, por disniveli mes Premier Ligës dhe kampionateve të tjerë qëndron dhe në fakte të tjera.
Kështu Notingem Forest, një nga tri klubet e ngjitur në këtë sezon në Premier ka shpenzuar afërsisht 150 milionë euro për të afruar 18 lojtarë! Më shumë se Forest ka shpenzuar vetëm Çelsi, afërisht 280 milionë euro. Notingemi ka lënë pas klube si Bajerni i Mynihut, Paris SG-ja, Juventusi e Reali i Madridit. Edhe Fulhami, një tjetër klub i ngjitur në këtë sezon në Premier ka shpenzuar plot 56.4 milionë euro, ndërkohë që nga tri klubet e ardhura nga “Championship”-i, Bornmëthi ka shpenzuar më pak, rreth 27 milionë euro. Në rast se ligat e tjera të rëndësishme në Europë nuk ndryshojnë qasje ndaj tregut, për ta do të jetë shumë e ndërlikuar të konkurrojnë me Premierin dhe të mbajnë në përbërje të tyre talentet.
Arena e Lajmit
